Franca rrëzon ndalimin e rrjeteve sociale për nën 15-vjeçarët

Këshilli Kushtetues i Francës ka rrëzuar sot ligjin e propozuar që ndalonte përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët nën moshën 15 vjeç, duke argumentuar se ligji cenonte lirinë e shprehjes.

Vendimi përbën një goditje për presidentin Emmanuel Macron, i cili kishte kërkuar që qeveria ta rishikonte dhe ta përshtaste projektligjin.

Presidenti Macron i ka kërkuar kryeministrit Sebastien Lecornu të hartojë një version të ri që të marrë parasysh shqetësimet e ngritura nga Këshilli Kushtetues.

Në vendimin e tij, Këshilli Kushtetues theksoi se ndalimi i të miturve nën 15 vjeç për të përdorur disa shërbime online do të kërkonte që çdo person, përfshirë të rriturit, të provonte moshën e tij përpara se të kishte akses në këto platforma.

Sipas gjykatës, ligji nuk përcaktonte në mënyrë të mjaftueshme kushtet dhe kufijtë për mënyrën se si do të kryhej verifikimi i moshës.

Për këtë arsye, ligjvënësi nuk kishte vendosur garancitë e nevojshme ligjore për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore.

Parlamenti francez e kishte miratuar më herët ndalimin për fëmijët nën 15 vjeç, duke e bërë Francën vendin e parë në Evropë që ndërmerrte një masë të tillë.

Nisma ishte frymëzuar edhe nga Australia, e cila në dhjetor vendosi një ndalim për përdorimin e platformave si Facebook, TikTok dhe YouTube nga të rinjtë nën 16 vjeç.

Megjithatë, vendimi i Këshillit Kushtetues nuk nënkupton se Franca ka hequr dorë nga synimi për të kufizuar përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët.

Pallati Elysee deklaroi se presidenti Macron mbetet i vendosur që reforma të hyjë në fuqi përpara pranverës së vitit 2027, kur Franca do të zhvillojë zgjedhjet presidenciale.

Tashmë qeveria franceze duhet të riformulojë projektligjin, veçanërisht pjesën që lidhet me verifikimin e moshës, në mënyrë që mbrojtja e fëmijëve në internet të mos përplaset me të drejtën e qytetarëve për lirinë e shprehjes dhe privatësinë./ atsh