Musliu denoncon në IPK policin që thotë se e cenoi fizikisht në Kuvend
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka denoncuar në Inspektorati Policor të Kosovës një polic, për të cilin pretendon se e ka cënuar fizikisht në Kuvend të mërkurën.
Musliu ka theksuar se ky reagim i saj nuk bëhet vetëm për ta mbrojtur vetën, por edhe për ta mbrojtur Policinë që të mos jetë nën ndikime partiake.
Deputetja e PDK-së kërkon që kjo situatë të hetohet dhe të kërkohet po ashtu edhe përgjegjësi që ka ftuar Policinë të hyjë në Kuvend.
“Sepse kur Policia hyn në sallën e Kuvendit dhe një deputet cenohet fizikisht, nuk mjafton të hetohet vetëm polici që ka kryer veprimin. Duhet të hetohet edhe zinxhiri i përgjegjësisë dhe urdhrit që e solli Policinë aty.
E lartpermenda se kam punuar për 15 vite rresht që Policia e Kosovës të jetë profesionale, e pavarur dhe me integritet. Nuk do të hesht tani, kur pikërisht këto parime duhet të mbrohen më shumë se kurrë.
Policia i shërben ligjit dhe Republikës së Kosovës, jo urdhrave politikë.
Prandaj, i bëj thirrje çdo polici dhe çdo shërbyesi civil në Republikën e Kosovës që t’i qëndrojë besnik ligjit, Kushtetutës dhe detyrës së vet profesionale, e të mos i nënshtrohet asnjë diktati, presioni apo urdhri politik që cenon pavarësinë dhe integritetin e institucioneve të shtetit”, shkroi deputetja Musliu ndër tjera. /Zëri