RRGGK-ja dënon publikimin e fotografisë dhe identitetit të një viktime, që u raportua si vetëvrasje

Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës (RRGGK) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me mënyrën e raportimit të disa mediave për një rast të raportuar si vetëvrasje, duke dënuar veçanërisht publikimin e fotografisë dhe identitetit të viktimës.

Sipas RRGGK-së, publikimi i fotografisë dhe të dhënave që mundësojnë identifikimin e viktimës përbën cenim të rëndë të dinjitetit dhe privatësisë së saj, si dhe mungesë të kujdesit profesional ndaj familjes dhe personave të afërt, transmeton Zeri.info.

RRGGK-ja rikujton se rastet e vetëvrasjes duhet të trajtohen me kujdes të veçantë dhe se ato, në vetvete, nuk përbëjnë domosdoshmërisht interes publik për raportim.

“Publikimi i rasteve individuale vetëm për shkak të natyrës tragjike të ngjarjes, veçanërisht kur shoqërohet me identitetin, fotografinë apo detaje personale të viktimës, rrezikon ta shndërrojë një tragjedi njerëzore në përmbajtje sensacionaliste”, thuhet në reagim.

RRGGK-ja thekson se edhe në rastet e jashtëzakonshme kur ekziston interes i mirëfilltë publik, raportimi duhet të bëhet me kujdes maksimal profesional dhe etik, duke shmangur identifikimin e viktimës, publikimin e fotografive, detajeve të panevojshme dhe elementeve sensacionaliste.

Sipas organizatës, raportimi i papërgjegjshëm mund të shkaktojë dëm të mëtejshëm për familjarët dhe personat e afërt të viktimës, por edhe të ketë pasoja te personat në gjendje të cenueshme.

“Interesi publik nuk duhet të ngatërrohet me interesimin e publikut. Fakti që një informacion, fotografi apo detaj mund të tërheqë vëmendje nuk e arsyeton publikimin e tij”, thuhet në reagim.

RRGGK-ja u ka bërë thirrje mediave që kanë publikuar fotografinë dhe identitetin e viktimës që t’i largojnë ato nga publikimet e tyre dhe të tregojnë përgjegjësi ndaj viktimës dhe familjes së saj. /Zëri