Bytyqi: LVV-ja të thërrasë seancën konstituive, s’ka arsye për vonesa

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Albana Bytyqi, i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje ta thërrasë seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës dhe të vazhdojë me formimin e institucioneve të reja.

Bytyqi, në një konferencë për media në hollin e Kuvendit, tha se pas qëndrimit të LDK-së se do ta mbështesë një president konsensual, nuk ka më arsye për vonimin e konstituimit të Kuvendit.

“E di që Serbia nuk e njeh Kushtetutën, por që nuk e njeh as pushteti, nuk e kemi ditur. Pavarësisht gjithë asaj, ne do të bëjmë përpjekje që ta thërrasin LVV-në dhe ta bëjë konstituimin e Kuvendit”, tha Bytyqi.

Ajo iu referua edhe qëndrimit të LDK-së, e cila, sipas saj, ka bërë të qartë se nuk sheh arsye për vonimin e procesit.

“Mbrëmë e pamë LDK-në që thanë se nuk kanë asnjë arsye që të vonojnë konstituimin e Kuvendit. Ne i bëjmë thirrje LVV-së që ta bëjë konstituimin e Kuvendit dhe të vazhdojë me procedurat tutje”, deklaroi deputetja e AAK-së.