Hamza nga foltorja e Kuvendit: Kurti po i mban peng institucionet, pa rikthimin e rendit kushtetues s’ka dialog për tema të tjera
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po i mban peng institucionet e Kosovës, duke kërkuar që Kuvendi të konstituohet sa më parë.
Nga foltorja e Kuvendit, Hamza i bëri thirrje shumicës parlamentare që të thërrasë seancën për konstituimin e këtij institucioni, duke theksuar se mbi interesat partiake qëndrojnë Kushtetuta dhe Republika e Kosovës.
“Albin Kurti po e mban peng shtetin e Kosovës! Atij i kërkojmë urgjentisht të reflektojë dhe të heqë dorë nga këto veprime antikushtetuese. Sepse, pa e rikthyer kushtetutshmërinë, pa e rikthyer rendin kushtetues, me ne nuk mund të flitet për asgjë tjetër”, tha Hamza, transmeton Zeri.info.
Ai tha se Kurti, kryesuesja e Kuvendit, Albulena Haxhiu dhe kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari kanë shkelur qëllimisht afatin kushtetues për konstituimin e Kuvendit dhe vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Hamzës, institucionet aktualisht po funksionojnë në një situatë të pasigurt, me shkelje të Kushtetutës dhe të Rregullores së Kuvendit.
“Shteti nuk është Albin Kurti. Shteti është Kushtetuta. Janë ligjet. Janë institucionet dhe kufijtë që askush nuk ka të drejtë t’i kalojë”, deklaroi ai.
Kreu i PDK-së tha se Grupi Parlamentar i LVV-së e ka fituar të drejtën për të propozuar kryetarin e Kuvendit, por jo edhe të drejtën për të ndalur, siç u shpreh ai, “orën kushtetuese”.
“Kurti e ka fituar të drejtën të negociojë. Por nuk e ka fituar të drejtën t’i vendosë interesat politike mbi Kushtetutën”, tha Hamza.
Ai paralajmëroi gjithashtu se PDK-ja nuk do ta pranojë shkeljen e Kushtetutës si normalitet, duke theksuar se “nuk ka mandat politik mbi Kushtetutën, nuk ka shumicë mbi Kushtetutën dhe nuk ka individ mbi Kushtetutën”. /Zëri