Guvernatori Ismaili priti në takim Drejtorin Ekzekutiv të Autoritetit të Tregut Financiar të Austrisë
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, priti z. Helmut Ettl, Drejtor Ekzekutiv i Autoritetit të Tregut Financiar të Austrisë (FMA) dhe Zëvendëskryetar i Autoritetit Bankar Evropian (EBA), i shoqëruar nga znj. Sandra Dvorsky nga Banka Kombëtare e Austrisë (OeNB). Vizita shënon vizitën e parë zyrtare të z. Ettl në Kosovë pas nominimit të tij si Drejtor Ekzekutiv i FMN-së për Konstituencën në të cilën bën pjesë Kosova.
Guvernatori Ismaili e uroi z. Ettl për nominimin e tij dhe theksoi pjesëmarrjen aktive të Kosovës në Konstituencën e FMN-së, duke shprehur bindjen se përvoja e tij e gjerë në fushën e stabilitetit financiar, mbikëqyrjes dhe rregullimit bankar, si dhe në çështjet financiare ndërkombëtare, do të kontribuojë në përfaqësimin efektiv të të gjithë anëtarëve të Konstituencës në Bordin Ekzekutiv të FMN-së.
Palët theksuan bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet BQK-së, Autoritetit të Tregut Financiar të Austrisë dhe Bankës Kombëtare të Austrisë, përfshirë shkëmbimin e ekspertizës dhe vizitën e Guvernatorit Ismaili në selinë e FMA-së vitin e kaluar.
Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili e informoi z. Ettl për zhvillimet e fundit makroekonomike, performancën dhe qëndrueshmërinë e sektorit financiar të Kosovës, si dhe reformat kryesore dhe prioritetet strategjike të BQK-së. Ai theksoi stabilitetin e vazhdueshëm të sistemit financiar, të mbështetur nga institucionet financiare me nivele të qëndrueshme të kapitalizimit dhe likuiditetit, mbikëqyrja e shëndoshë dhe korniza rregullative e fuqizuar.
Guvernatori Ismaili prezantoi progresin e arritur në mbikëqyrjen e bazuar në rrezik dhe në Procesin e Rishikimit dhe Vlerësimit Mbikëqyrës (SREP), si dhe përgatitjet në vijim për fillimin e raportimit FINREP dhe COREP nga viti 2027. Vëmendje e veçantë iu kushtua përafrimit të vazhdueshëm të kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse bankare të Kosovës me standardet prudenciale të BE-së dhe kornizën e Bazelit, përfshirë punën lidhur me vlerësimin e ekuivalencës me EBA dhe vlerësimin e hapave të mëtejshëm të nevojshëm për përmbushjen e kërkesave të BE-së dhe EBA-së.
Takimi trajtoi gjithashtu reformat më të gjera në sektorin financiar, përfshirë forcimin e mbikëqyrjes në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe luftimit të financimit të terrorizmit (PPP/LFT), sigurinë kibernetike dhe qëndrueshmërinë operacionale, mbrojtjen e konsumatorit, përfshirjen financiare dhe transformimin digjital të shërbimeve financiare.
Guvernatori Ismaili theksoi prioritetet e BQK-së për modernizimin e infrastrukturës së pagesave të Kosovës, përfshirë progresin drejt integrimit në SEPA, zhvillimin e platformës TIPS Clone për pagesa të menjëhershme dhe avancimin e mëtejshëm të shërbimeve inovative të pagesave digjitale. Këto reforma kontribuojnë në afrimin e sistemit financiar të Kosovës me ekosistemin evropian të pagesave dhe në rritjen e efikasitetit, qasjes dhe integrimit.
Në fushën e stabilitetit financiar, Guvernatori Ismaili prezantoi punën e BQK-së për forcimin e mëtejshëm të analizës makro-financiare, stres-testimeve dhe monitorimit të rreziqeve sistemike, ato në zhvillim dhe rreziqeve të lidhura me klimën, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe rekomandimet e FMN-së në fushat e rregullimit dhe mbikëqyrjes financiare, mbikëqyrjes së rrezikut sistemik, menaxhimit të krizave dhe mekanizmanve të sigurisë financiare.
Palët diskutuan gjithashtu themelimin e funksionit të Përmbylljes së Bankave në kuadër të Ligjit të ri për Bankat, i cili përcakton BQK-në si autoritetin e përmbylljes së bankave në Kosovë, si dhe zhvillimin e mëtejshëm të kornizës ligjore, institucionale dhe operacionale për planifikim efektiv të rimëkëmbjes dhe përmbylljes, me mbështetjen e Bankës Botërore përmes FinSAC.
Guvernatori Ismaili theksoi bashkëpunimin e gjerë ndërmjet BQK-së dhe FMN-së përmes asistencës teknike dhe zhvillimit të kapaciteteve në fushën e mbikëqyrjes bankare, stabilitetit financiar, analizës dhe parashikimit makroekonomik, asistencës së likuiditetit emergjent, menaxhimit të rrezikut kibernetik, qeverisjes së bankës qendrore, transparencës dhe përgatitjes për kriza. Ai theksoi rëndësinë e mbështetjes së FMN-së në forcimin e kapaciteteve analitike, mbikëqyrëse dhe operacionale të BQK-së, si dhe në avancimin e zbatimit të reformave në sektorin financiar.
Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen e tij ndaj menaxhmentit të FMN-së dhe Drejtorit Ekzekutiv aktual të FMN-së, z. Yigit Yasar, për mbështetjen e vazhdueshme të FMN-së ndaj BQK-së dhe agjendës më të gjerë të reformave në Kosovë, duke mirëpritur njëkohësisht kontributin e ardhshëm të z. Ettl, në cilësinë e Drejtorit Ekzekutiv të FMN-së, në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të ndërtuar mbi këto baza të forta.
Z. Ettl vlerësoi progresin e BQK-së në forcimin e kapaciteteve të saj institucionale, avancimin e reformave rregullative dhe mbikëqyrëse, si dhe përafrimin e kornizës së stabilitetit financiar me standardet evropiane dhe ndërkombëtare. Ai rikonfirmoi rëndësinë e ruajtjes së bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet FMN-së dhe autoriteteve të Kosovës.
Takimi përfundoi me një zotim të përbashkët për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me FMN-në dhe partnerët ndërkombëtarë, në mbështetje të stabilitetit financiar, zhvillimit institucional dhe modernizimit të vazhdueshëm dhe integrimit evropian të sektorit financiar të Kosovës.
BQK-ja mbetet e përkushtuar ndaj zbatimit të standardeve më të larta ndërkombëtare dhe avancimit të reformave që kontribuojnë në ndërtimin e një sistemi financiar stabil, të qëndrueshëm, inovativ dhe gjithëpërfshirës në Kosovë.