Ushtarët italianë të KFOR-it zhvillojnë stërvitje me qitje reale pranë Prishtinës

Ushtarët italianë të KFOR-it, kanë zhvilluar një stërvitje me qitje reale në poligonin e qitjes “Razorback”, në afërsi të Prishtinës.

Sipas KFOR-it, trajnimi kishte për qëllim ruajtjen e aftësive dhe gatishmërisë së ushtarëve për përdorimin e sistemeve individuale të armëve, si dhe forcimin e procedurave operacionale.

Gjatë stërvitjes u synua gjithashtu përmirësimi i koordinimit dhe rritja e sigurisë dhe besimit të pjesëtarëve në përdorimin dhe mirëmbajtjen e sigurt të armëve.

KFOR ka theksuar se aktivitete të tilla trajnuese ndihmojnë në ruajtjen e një niveli të lartë të gatishmërisë operacionale dhe ndërgjegjësimit për situatën.

Sipas KFOR-it, këto aktivitete janë pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.

Misioni i NATO-s në Kosovë ka bërë të ditur se vepron në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në kuadër të roleve të tyre përkatëse si reagues të sigurisë.