NATO: KFOR-i po përshtat praninë në Kosovë në bazë të situatës së sigurisë

NATO ka njoftuar se po punon për përshtatjen dhe optimizimin e misionit të saj paqeruajtës në Kosovë, KFOR, duke u bazuar në përmirësimin e situatës së sigurisë në vend.

Zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart, ka bërë të ditur në platformën “X” se ndryshimet në pozicionimin e KFOR-it kanë nisur nën udhëheqjen e komandantit të misionit, gjeneralmajor Özkan Ulutaë, në koordinim me autoritetet dhe palët relevante.

Sipas Hart, këto përshtatje janë rezultat i përparimit konkret në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët në Kosovë, si dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes.

“NATO po punon për të siguruar që misioni ynë paqeruajtës në Kosovë, KFOR, të jetë i përshtatur me rrethanat aktuale, duke marrë parasysh përmirësimin e situatës së sigurisë. Nën udhëheqjen e qëndrueshme të komandantit të KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaë, kemi filluar të përshtatim pozicionimin tonë, në koordinim të ngushtë me të gjitha autoritetet dhe palët relevante. Këto përshtatje dëshmojnë përparim konkret në mbështetjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe të lirisë së lëvizjes, në përputhje me mandatin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999″, ka shkruar ajo.

Hart ka theksuar se procesi bazohet në kushtet në terren dhe se ndryshimet mund të përmbyset nëse paraqitet nevoja.

“Ky proces bazohet në kushtet në terren dhe mund të përmbyset, nëse është e nevojshme”, ka deklaruar Hart.

Ndryshe, ky reagim i NATO-s vjen dy ditë pasi KFOR-i njoftoi për fillimin e tërheqjes graduale nga prania e përhershme në Urën e Ibrit, si dhe për bartjen graduale të përgjegjësive për sigurinë e Manastirit të Deçanit te Policia e Kosovës.

NATO ka përsëritur përkushtimin për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin rajonal, në të mirë të të gjitha komuniteteve.