171 motoçiklistë u gjobitën në Pejë gjatë gushtit, Policia konfiskoi edhe disa mjete
Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Pejë ka intensifikuar masat policore për rregullimin e komunikacionit dhe parandalimin e aksidenteve, me fokus të veçantë te drejtuesit e motoçikletave dhe katërçikletave.
Në kuadër të planit operativ “Motoçiklistët kundërvajtës”, kjo njësi, në bashkëpunim me stacionet policore në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, ka formuar një task-forcë për zbatimin e masave të parapara.
Sipas Policisë së Kosovës, gjatë ditëve të muajit gusht 2026 janë kontrolluar dhe legjitimuar drejtuesit e këtyre mjeteve, ndërsa 171 ngasës janë proceduar për kundërvajtje të ndryshme në komunikacion.
Në kuadër të kontrolleve, disa prej mjeteve janë edhe konfiskuar, bëhet e ditur në njoftim.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë u ka bërë apel të gjithë qytetarëve që përdorin mjete të ndryshme transporti që të respektojnë me përpikëri ligjin dhe shenjat e komunikacionit.
Policia ka theksuar se masat kanë për qëllim rritjen e sigurisë në rrugë dhe parandalimin e aksidenteve, veçanërisht atyre të shkaktuara nga motoçikletat dhe katërçikletat.