Ndalet njësia A4 e KEK-ut për shkak të parregullsive teknike
Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se Njësia A4 është ndalur në mënyrë të kontrolluar më 11 gusht, në orën 00:00, pas evidentimit të disa parregullsive teknike.
Sipas KEK-ut, ndalja është bërë si masë parandaluese dhe në përputhje me kërkesat e sigurisë teknike, me qëllim që të krijohen kushtet për kontrollin dhe ndërhyrjet e nevojshme në pajisje, transmeton Zeri.info.
Ekipet profesionale janë angazhuar menjëherë për vlerësimin e gjendjes teknike, identifikimin e shkakut të parregullsive dhe ndërmarrjen e masave për eliminimin e problemit.
KEK-u ka bërë të ditur se Njësia A4 do të rikthehet në operim pas përfundimit të kontrolleve dhe ndërhyrjeve teknike, si dhe pasi të konfirmohen kushtet e sigurta për punë.
Korporata ka paralajmëruar se për zhvillimet e mëtejshme dhe kohën e rikthimit të njësisë në operim do të njoftojë me kohë. /Zëri