Libani, shteti i parë në Lindjen e Mesme që heq dënimin me vdekje
Parlamenti i Libanit ka miratuar një ligj që shfuqizon dënimin me vdekje, duke e bërë vendin të parin në Lindjen e Mesme që ndërmerr një hap të tillë.
Sipas Reuters, legjislacioni i ri parashikon zëvendësimin e të gjitha dënimeve ekzistuese me vdekje me burgim të përjetshëm, duke i dhënë fund dënimit kapital në vend.
Vendimi u miratua nga parlamenti libanez të martën, më 11 gusht, pas ndryshimeve në projektligj. Për vite me radhë, Libani kishte një moratorium faktik për ekzekutimet. Ekzekutimi i fundit në vend ishte kryer në vitin 2004, megjithëse gjykatat vazhdonin të shqiptonin dënime me vdekje.
Me hyrjen në fuqi të ndryshimeve, personat që më parë do të përballeshin me dënimin kapital do të dënohen me burgim të përjetshëm, ndërsa ligji parashikon edhe punë të detyruar si pjesë të dënimit.
Vendimi është përshëndetur nga organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Amnesty International e cilësoi atë si një fitore historike për të drejtat e njeriut, ndërsa Bashkimi Evropian tha se Libani po jep një shembull të rëndësishëm për vendet e tjera të rajonit.
Heqja e dënimit me vdekje e vendos Libanin në mesin e vendeve që kanë zgjedhur të heqin përfundimisht dënimin kapital nga legjislacioni i tyre, ndërsa shumica e vendeve të Lindjes së Mesme ende e mbajnë atë në fuqi. /Zëri