Spahia: Të thuash ‘Serbia e humbi Kosovën’ nuk është një lapsus politik por një shtrembërim dashakeq e thellësisht i rrezikshëm i historisë

Deputeti i PD-së, Bardh Spahia duke komentuar deklarata e Edi Ramës në lidhje me debatin e fundit me Vuçiç, shkruan  ‘të thuash ‘Serbia e humbi Kosovën’ nuk është një lojë fjalësh apo një lapsus politik por 'një shtrembërim dashakeq e thellësisht i rrezikshëm i historisë dhe një ofendim ndaj gjakut të derdhur.’

Të thuash ‘Serbia e humbi Kosovën’ nuk është një lojë fjalësh apo një lapsus politik por një shtrembërim dashakeq e thellësisht i rrezikshëm i historisë dhe një ofendim ndaj gjakut të derdhur.

Reagimi i deputetit të PD, Bardh Spahia:

Një shtet mund të humbasë vetëm atë që i përket me të drejtë. Kosova nuk ka qenë kurrë pronë e Serbisë që ajo ‘ta humbte’. Kosova ka qenë historikisht zemra e Dardanisë e pushtuar me zjarr e hekur dhe e mbajtur peng për dekada të tëra përmes terrorit shtetëror, spastrimeve etnike dhe gjenocidit të një opresori gjakatar.

Nuk kemi të bëjmë me një ‘humbje’ të Beogradit, siç shprehet argati vella i Vuçiç dhe mjerisht kryeministër i Shqipërisë, Edi Rama.

Kosova fitoi lirinë! Ajo çfarë ndodhi ishte rikthimi i një të drejte natyrore e hyjnore që shqiptarëve u ishte mohuar me dhunë.

Ta trajtosh Kosovën si  territor që i rrëshqiti nga duart Serbisë është të flasësh ekzaktësisht me gjuhën dhe narrativën e antishqiptarëve. Është një konstatim qëllimisht mjeran dhe thellësisht antishqiptar, sepse liria e një populli nuk përkufizohet kurrë si ‘humbje’ e opresorit, por si fitore e të shtypurit.