Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për gjetjen e Xhafer Raçit, i zhdukur që nga 2 korriku

Në Stacionin Policor “Qendra” në Prishtinë, më 2 korrik 2026, është raportuar për zhdukjen e Xhafer Raqit, i lindur në vitin 1948.

Që nga dita e raportimit e deri më tani, njësitet policore të hetimeve, Njësiti për Kërkim-Shpëtim i FSK-së, si dhe patrullat policore, në koordinim me Prokurorinë përkatëse dhe në bashkëpunim të ngushtë me familjarët, kanë ndërmarrë një sërë veprimesh për gjetjen e personit.

Ndër veprimet e ndërmarra janë: intervistimi i personave që mund të kenë informacione lidhur me vendndodhjen e tij; kontrollimi i hyrje-daljeve në të gjitha pikat kufitare; kërkimet në zonat që personi kishte frekuentuar zakonisht, përfshirë ambiente të mbyllura dhe të hapura; analizimi dhe verifikimi i çdo informacioni që mund të ndërlidhet me personin e zhdukur.

Pavarësisht veprimeve dhe kërkimeve të vazhdueshme policore, pas autorizimit nga Prokurori i Shtetit, Policia e Kosovës kërkon edhe bashkëpunimin e qytetarëve për të ndihmuar në gjetjen e tij.

Të gjithë ata që kanë çfarëdo informacioni që mund të ndihmojë në lokalizimin e Xhafer Raqit, ftohen që informacionin ta përcjellin në Policinë e Kosovës përmes numrit 192 ose në adresën elektronike info@kosovopolice.com. /Zëri