Inflacioni në Kosovë arrin në 6,5%
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat për Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin korrik 2026, sipas të cilave inflacioni vjetor në Kosovë ka arritur në 6,5 për qind, transmeton Zeri.info.
Sipas ASK-së, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në korrik 2026 ishte 6,5 për qind më i lartë, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa në raport me qershorin e këtij viti, çmimet janë rritur me 0,6 për qind.
Rritja vjetore e çmimeve është ndikuar kryesisht nga disa kategori. Rritjen më të madhe e ka shënuar transporti me 17,8 për qind, pasuar nga strehimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët e tjera djegëse me 11,1 për qind.
Rritje të çmimeve janë regjistruar edhe te pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët me 5,3 për qind, restorantet dhe shërbimet e akomodimit me 5,3 për qind, shëndetësia me 4 për qind, si dhe kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallrat e shërbimet e ndryshme me 3,7 për qind.
Ndërkohë, çmimet e veshjeve dhe këpucëve janë rritur me 2,8 për qind, ato të ushqimeve dhe pijeve joalkoolike me 2,7 për qind, ndërsa mobiliet, pajisjet shtëpiake dhe mirëmbajtja rutinore e shtëpisë janë shtrenjtuar me 2,5 për qind.
Në anën tjetër, rënie vjetore të çmimeve janë regjistruar te shërbimet arsimore, me 0,5 për qind dhe tek informacioni dhe komunikimi, me 0,1 për qind.
Në krahasim me qershorin 2026, çmimet në korrik janë rritur me 0,6 për qind.
Rritja mujore është ndikuar kryesisht nga transporti me 4,3 për qind, rekreacioni, sporti dhe kultura me 1,9 për qind, si dhe restorantet dhe shërbimet e akomodimit me 1 për qind.
Në të njëjtën periudhë, rënie të çmimeve janë shënuar tek ushqimet dhe pijet joalkoolike me 1 për qind, mobiliet dhe pajisjet shtëpiake me 0,6 për qind, shëndetësia me 0,1 për qind dhe informacioni e komunikimi me 0,1 për qind.
Sipas ASK-së, të dhënat janë publikuar në kuadër të Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, me vit bazë 2025 dhe metodologji të përditësuar. /Zëri