Haxhiu: Deklaratat e Vuçiqit për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit janë kërcënuese, duhet reagim ndërkombëtar
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka cilësuar si shqetësuese dhe kërcënuese deklaratat e fundit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.
Haxhiu ka kërkuar nga diplomatët e Kosovës që këto deklarata t’ua bëjnë të ditura qeverive të vendeve ku shërbejnë, duke theksuar se çdo ndërhyrje e njëanshme në rrjedhat ujore ndërkufitare mund të ketë pasoja për sigurinë ujore, energjetike, mjedisore dhe njerëzore të Kosovës.
“Një tjetër shqetësim serioz që duhet të adresohet me partnerët tanë ndërkombëtarë janë edhe deklaratat e fundit të Vuçiqit për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër. Siç e dini, Ibër-Lepenci dhe liqeni i Ujmanit janë pjesë e një sistemi jetik për furnizim me ujë, për energjinë, bujqësinë dhe jetën e qindra mijëra qytetarëve të Kosovës”, tha Haxhiu.
Ajo ka paralajmëruar se ndërhyrja në rrjedhat ujore ndërkufitare nuk duhet të trajtohet vetëm si çështje teknike.
“Ndërhyrja e njëanshme në rrjedhat ujore ndërkufitare do të kishte pasoja shumë përtej një çështjeje teknike, ngase do ta prekte sigurinë ujore, energjetike, mjedisore dhe njerëzore të Republikës tonë”, është shprehur ajo.
Haxhiu ka kërkuar që partnerët ndërkombëtarë të reagojnë ndaj çdo veprimi që mund të rrezikojë burimet ujore jetike të Kosovës.
“Duhet ta bëjmë të qartë se përdorimi i burimeve ujore si instrument presioni ndaj Kosovës është i papranueshëm dhe se ide të tilla që ringjallin qasje shoviniste dhe destabilizuese ndaj Kosovës duhet të marrin vëmendjen dhe reagimin e duhur ndërkombëtar”, deklaroi ajo.
Sipas saj, Kosova pret që çdo veprim që rrezikon burimet ujore të vendit të trajtohet në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare, duke përfshirë përdorimin e drejtë dhe të arsyeshëm të tyre dhe detyrimin për të parandaluar dëmin e konsiderueshëm ndërkufitar.
Haxhiu kërkon përgjegjësi nga Serbia për Banjskën dhe të zhdukurit
Duke folur për raportet me Serbinë, Haxhiu ka thënë se Beogradi duhet të mbajë përgjegjësi për sulmin në Banjskë, sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve dhe qytetarëve, si dhe për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës.
“Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për sulmin terrorist në Banjskë, për sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve, qytetarëve të tjerë, për dorëzimin e kryeterroristit Milan Radojçiq dhe të tjerëve të përfshirë në këtë sulm terrorist, por po ashtu edhe për zbardhjen e fatit të mbi 1 mijë e 500 personave të zhdukur në vend gjatë luftës”, tha Haxhiu.
Ajo ka theksuar se adresimi i këtyre çështjeve është i domosdoshëm për një proces të qëndrueshëm të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Mbetjet mortore në Zubin Potok, Haxhiu kërkon hapjen e arkivave
Haxhiu ka përmendur edhe zhvillimet e fundit në Zubin Potok, ku në lokacionet Kalludër e Vogël dhe Jabuk janë gjetur mbetje mortore, që dyshohet se u përkasin viktimave të luftës së viteve 1998-1999.
Ajo ka thënë se institucionet e Kosovës po punojnë edhe në një lokacion tjetër të dyshuar për varrezë masive, ndërsa ka kërkuar që Serbia të hapë arkivat për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
“Partnerët tanë duhet ta dinë se edhe sot, në Kosovë, po gjenden dëshmi të reja të krimeve të luftës dhe se drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre ende pret përgjigje. Prandaj, duhet t’i bëhet presion Serbisë që të hapë arkivat”, deklaroi Haxhiu.
Këto deklarata Haxhiu i bëri në edicionin e nëntë të Konferencës së Ambasadorëve të Republikës së Kosovës, aktivitet i organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.