Përfundon asfaltimi, hapet për qarkullim segmenti 2 i rrugës “Ilir Konushevci” në Prishtinë [video]

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se është hapur për qarkullim rruga“Ilir Konushevci” - segmenti 2, në afërsi të objektit të Komunës.

Rama, përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, ka bërë të ditur se puna është përqendruar në asfaltimin e rrugës dhe vendosjen e sinjalistikës, me qëllim që në orët e mëngjesit rruga të jetë e përfunduar dhe e gatshme për qarkullim.

“Mirëmëngjesi Prishtinë. Rruga është e hapur për qarkullim. Derisa qyteti ishte n’gjumë, ekipet e Kryeqytetit punuan pa ndal. Gjatë gjithë natës u punua në asfaltim dhe sinjalistikë, që sot në mëngjes rruga të jetë e përfunduar dhe e gatshme për qarkullim”, është bërë e ditur nga kryeqyteti.

Rama ka shprehur mirënjohje për ekipet në terren, duke e cilësuar punën e tyre si shembull të përkushtimit dhe angazhimit për përmirësimin e infrastrukturës së qytetit.