Ukrainasit i japin lamtumirën njeriut që u dha emër ushtarëve të panjohur
Një burrë ukrainas, i cili për vite me radhë u mor me zhvarrosjen dhe identifikimin e ushtarëve të vrarë në luftë, po përcillet për në banesën e fundit në qytetin e tij të lindjes, Slloviansk, pasi u vra gjatë një prej misioneve të tij për të zhvarrosur trupa pranë vijës së frontit.
Oleksiy Yukov organizoi një grup të vogël vullnetarësh në vitin 2014, kur shpërtheu konflikti me separatistët e mbështetur nga Kremlini në lindje të Ukrainës. Puna e grupit ndihmoi familjet të gjenin trupat e të afërmve të rënë dhe t'u siguronin atyre varrim të dinjitetshëm.
Qëkurse nisi pushtimi i plotë rus në vitin 2022, ngarkesa e punës së grupit është rritur në mënyrë marramendëse, ashtu si edhe rreziqet nga trupat e minuara, municionet e pashpërthyera, bombardimet dhe dronët.
"Për ne është shumë e rëndësishme që çdo djalë dhe çdo vajzë të kthehet në shtëpi", kishte deklaruar Yukov për Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë në prill të vitit të kaluar.
Një punë e tmerrshme
Interesimi i Yukovit për këtë fushë kishte nisur në kohë paqeje. Si adoleshent, ai mori pjesë në kërkimin dhe zhvarrosjen e mbetjeve mortore të ushtarëve sovjetikë dhe gjermanë të vrarë gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. Më vonë ai kujtonte se kishte parë eshtrat e trupave të paidentifikuar në pyjet pranë shtëpisë së tij dhe kishte përjetuar një reagim të fortë emocional.
Por në vitin 2014, lufta pushoi së qeni një temë me interes historik, pasi Sllovjansku u bë një nga epiqendrat e luftimeve të ashpra në konfliktin e ri. Yukov, i cili punonte si trajner i boksit tajlandez, filloi shpejt të nxirrte trupat e paidentifikuar të ushtarëve dhe civilëve të vrarë së fundmi nga të dyja anët e vijës së frontit.
Mes luftimeve të vazhdueshme dhe ndryshimit të vazhdueshëm të vijës së frontit, kjo ishte një punë jashtëzakonisht e rrezikshme. Në një rast ai u kap dhe pothuajse u ekzekutua nga separatistët e armatosur. Në një tjetër, automjeti i tij u qëllua me armë zjarri, sipas raportimeve të mediave ukrainase.
Rreth 13.000 njerëz u vranë në konfliktin e viteve 2014-2022. Lufta që pasoi më tej ishte shumëfish më e përgjakshme, me qindra mijëra viktima. Yukov kishte më shumë punë se kurrë më parë dhe Radio Evropa e Lirë e dokumentoi shpesh veprimtarinë e tij.
Në nëntor të vitit 2022, Radio Evropa e Lirë e filmoi atë dhe vullnetarët e tjerë duke zhvarrosur trupat e ushtarëve rusë të vrarë në një pyll të lagur nga shiu pranë fshatit Dovhenke në rajonin e Harkivit.
"Rusia na ka shkaktuar një dhimbje të jashtëzakonshme. Ajo nisi një luftë kundër nesh, po shkatërron qytetet tona dhe po vret njerëzit tanë. Por, ne mbetemi njerëzorë edhe në këto rrethana dhe mbledhim trupat e ushtarëve të tyre të vrarë", kishte thënë ai në atë kohë.
Këta trupa përfshiheshin më pas në shkëmbimet periodike të të vdekurve mes Rusisë dhe Ukrainës.
Rritja e rreziqeve
Një muaj më vonë, ekipi po përballej me rrezikun e kurtheve shpërthyese. Pasi lidhnin litarë në një trup që ndodhej në një gropë, ata shtriheshin përdhe, tërhiqnin trupin dhe prisnin 10 sekonda, duke u përpjekur të qëndronin larg çdo shpërthimi të mundshëm. Vetëm më pas zbrisnin përsëri për ta nxjerrë trupin.
"Po kontrollojmë qafën për një targë identifikimi, një kryq në zinxhir ose ndonjë gjë tjetër. Ja, këtu është një kryq i madh", tha Yukov teksa punonte.
Në janar të vitit 2023, në Zarichne të rajonit të Donjeckut, ai gjeti në dorën e një kufome një orë dore që vazhdonte ende të punonte.
"Po mat kohën nga jeta drejt vdekjes", tha ai.
Deri në vitin 2025, ekipet e Yukovit po përballeshin me një kërcënim gjithnjë e më të madh nga dronët.
"Tani është pothuajse e pamundur të punosh", tha një vullnetar me emrin Artur gjatë një misioni në prill të atij viti. "Më parë mund të lëviznim nën mbulesën e reve ose gjatë shiut. Tani është shumë e rrezikshme. Jemi goditur edhe më parë".
Yukov shpjegonte se kushtet e reja kishin ndryshuar mënyrën e punës së tyre.
"Merr këdo që sheh të parin", tha ai. "Nuk ka kohë të kuptosh nëse është i yni apo i tyre. E merr trupin dhe vrapon".
Fjalët e fundit
Në shkurt të vitit 2026, Radio Evropa e Lirë realizoi një dokumentar për përpjekjet e vazhdueshme për të rikuperuar trupat e ushtarëve të rënë. Fjalët e Yukovit në atë kohë rezultuan profetike.
"Jeta ime nuk do të mjaftojë për ta kthyer çdo ushtar nga kjo luftë", tha ai.
Në muajt që pasuan, puna vazhdoi.
Postimi i fundit i Yukovit në Facebook, më 3 gusht, ishte një reflektim prekës mbi përvojën e tij dhe natyrën e luftës.
"Si kërkues, unë e shoh luftën në të gjitha shfaqjet e saj, duke u përballur si me shkaqet ashtu edhe me pasojat. Këtu, jeta e njeriut nuk vlen asgjë", shkroi ai. "Ne mbledhim trupa dhe shpirtra për t'i kthyer nga lufta. Dhe ata që e kanë prekur luftën mbeten me të dhe brenda saj, sepse ajo nuk e lëshon më askënd".
Dy ditë më vonë, vdekja e tij u bë e ditur në të njëjtin rrjet social nga ushtari ukrainas Serhiy Gnezdilov.
"Ai pësoi një plagë fatale gjatë zhvarrosjes së trupave në vijën e kontaktit", shkroi ai.
Banorët e Sllovjanskut i dhanë lamtumirën e fundit Yukovit më 7 gusht, ndërsa ceremonia e varrimit do të mbahet më vonë në Kiev. /REL