Taravari: Ndikimi i Serbisë në Maqedoninë e Veriut është më i madh se asnjëherë më parë

Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, vlerëson se ndikimi i Serbisë në këtë shtet është rritur në vitet e fundit.

Ky fakt sipas tij ka ndodhur me ardhjen në krye të qeverisë së drejtuar nga Hristijan Mickoski.

“Nëse dilni në Shkup në pjesën maqedonase, dëgjoni më shumë muzikë serbe. Këngët e Toshe Proeski (këngëtar maqedonas), lëshohen në gjuhën serbe. Propaganda serbe ka depërtuar shumë në Maqedoni. Festat e Serbisë manifestohen më të madhe edhe ne Maqedoninë e Veriut”, deklaroi Arben Taravari  në Tëvë1.

Ndikimi sipas tij është sikurse në kohën e ish-Jugosllavisë.

“Në biseda me ndërkombëtarë konstatohet se ndikimi i Serbisë në Maqedoninë e Veriut është si asnjëherë më parë. Ky ndikim është sikurse në kohën e ish-Jugosllavisë kur kanë qenë të gjitha shtetet së bashku”, pohoi Taravari.