Lidhjet e lëvizjes ruse të ekstremit të djathtë me Ballkanin

Një këshilltar nga radhët e partisë në pushtet në Vishegrad, në lindje të Bosnjë e Hercegovinës, ka promovuar organizatën ultranacionaliste ruse Rusov, anëtarët e së cilës marrin pjesë në agresionin rus kundër Ukrainës.

Siç ka raportuar më herët Radio Evropa e Lirë (REL), Lëvizja Ndërkombëtare Bashkimi dhe Ringjallja Ruso-Sllave (Rusov) mban kontakte me disa grupe të ekstremit të djathtë nga Serbia, ndërsa lideri i kësaj lëvizjeje, Andrei Rodionov, ka vizituar disa herë vendet e rajonit.

Në kanalin e këtij grupi në Telegram, në prill u publikua një fotografi ku shihet Velibor Zekoviq, këshilltar i Partisë Socialiste të Republikës Serbe në Kuvendin e Vishegradit, duke pozuar me flamurin e Rusovit në kodrën Zagllavak, pranë Vishegradit.

Në shoqërinë e tij është edhe Zhellko Gjuroviq, i cili rreth dhjetë vjet më parë prezantohej si shef i degës serbe të Lëvizjes Gjithë-Ruse Fronti i Kosovës, të cilën autoritetet ukrainase e kanë cilësuar si një entitet që organizon dërgimin e njerëzve nga Ballkani në frontin e luftës në Ukrainë. Gjuroviqi ka po ashtu në mëngën e xhaketës një emblemë me simbolin e Rusovit.

Në përshkrimin e fotografisë thuhet se Zekoviqi dhe Gjuroviqi janë “aleatë serbë të lëvizjes Rusov” dhe se ndodhen “te vendi ku në vitin 1993 vullnetarët rusë luftuan dhe derdhën gjak krah për krah me serbët për Bosnjën serbe”.

Velibor Zekoviqi nuk iu përgjigj telefonatave dhe mesazheve të Radios Evropa e Lirë për të folur rreth lidhjeve të tij me lëvizjen Rusov” As nga Partia e tij Socialiste e Republikës Serbe nuk ka ardhur ndonjë koment për fotografinë.

REL-i i shkroi edhe Zhellko Gjuroviqit përmes rrjetit rus Vkontakte dhe postës elektronike, por ai nuk ktheu përgjigje.

Përgjigje nuk ka ardhur as nga lëvizja Rusov.

Lidhjet e politikës së Bosnjës me të djathtën ruse

“Është paradoksale që partitë që nominalisht quhen socialiste flirtojnë me organizata të krahut të djathtë dhe nuk kanë asnjë lidhje me ideologjinë e së majtës”, vlerëson për Radion Evropa e Lirë (REL) Gjorgje Vujatoviq, gazetar nga Banjalluka i cili ndjek temat që lidhen me ndikimet e huaja në Bosnjë e Hercegovinë.

Megjithatë, ai thekson se kontaktet e aktorëve politikë nga entiteti i Bosnjë e Hercegovinës, Republika Sërpska, me grupet e djathta ruse nuk janë përjashtim, por rregull.

“Në të kaluarën kemi pasur raste kur shumë zyrtarë dhe funksionarë të lartë kanë marrë pjesë në ngjarje ku ka qenë i pranishëm edhe Aleksandar Zaldostanov, i njohur me nofkën ‘Kirurgu’, lideri i grupit rus të motoçiklistëve ‘Ujqërit e Natës’, i cili është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara”, thotë Vujatoviqi dhe shton.

“E gjithë politika kryesore është e lidhur me Federatën Ruse”.

Arsyet e afrimit të partive kryesore nga Republika S[ërpska me Rusinë, Gjorgje Vujatoviqi i sheh para së gjithash tek oportunizmi i aktorëve politikë. Ai thekson se opinioni publik në Republikën Sërpska është në masë të madhe i prirë ndaj narrativit rus dhe politikës së presidentit rus, Vladimir Putin.

“Aktorët politikë e kanë kuptuar se kjo është e leverdishme për të ardhur në pushtet dhe të gjithë po hyjnë në valën e këtij populizmi dhe po luajnë me kartën e lidhjeve historike me Rusinë, pansllavizmit dhe ortodoksisë si faktor bashkimi”, thotë ai.

Nga ana tjetër, shton Vujatoviqi, për organizatat nga Rusia më e rëndësishmja është që idetë e tyre t’i përhapin përtej kufijve të Rusisë.

“Ballkani, për shkak të lidhjeve historike, është hapësira më e përshtatshme për këtë veprimtari përmes përfaqësuesve dhe për shfaqjen e përkatësisë ndaj botës shumëpolare, siç e quajnë ata”, konsideron ai.

Lidhjet e luftës ruso-serbe

Zekoviqi dhe Gjuroviqi shpalosën flamurin e organizatës ruse pas një kryqi të improvizuar, të bërë nga kontejnerë bosh të granatahedhësve, në një vend ku gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë në vitet ’90 vepronin pjesëtarë të Ushtrisë së Republikës Sërpska dhe vullnetarë nga Rusia.

Prej vitesh, shoqatat e veteranëve të luftës nga Republika Sërpska organizojnë shënimin e “Ditës së Vullnetarëve Rusë”. Ndryshe nga vitet e mëparshme, këtë vit autoritetet e Bosnje e Hercegovinë ua ndaluan vullnetarëve rusë hyrjen në territorin e Bosnjë e Hercegovinës, ndaj në shënim morën pjesë përfaqësues të shoqatave të veteranëve të entitetit më të vogël të Bosnjës dhe familjarë të vullnetarëve nga Federata Ruse.

Ndër personat të cilëve iu ndalua hyrja në Bosnje ishte edhe Aleksandar Kravçenko, ish-vullnetar rus në Bosnjë dhe themelues i organizatës Fronti i Kosovës, me të cilën është i lidhur edhe Zhellko Gjuroviqi. Organizata e tij ishte aktive edhe para fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës, gjatë konfliktit në lindje të këtij vendi, në rajonin e Donbasit.

Autoritetet ukrainase e kanë cilësuar Frontin e Kosovës si organizatë që luan rol në rekrutimin e vullnetarëve nga Ballkani, por Kravçenko e ka mohuar këtë në një intervistë që më herët ka dhënë për REL-in.

Në kontekstin e shtetasve që shkojnë si vullnetarë në frontin e luftës në Ukrainë, Gjorgje Vujatoviq konsideron se kontaktet mes aktorëve rusë dhe serbë nuk janë tepër shqetësuese për sigurinë e brendshme të Bosnje e Hercegovinës. Megjithatë, ai thekson se problemi qëndron te fakti se shteti rrallë i sanksionon shtetasit që marrin pjesë në luftëra të huaja.

“Shkuarja në fronte të huaja është e dënueshme, por shteti nuk reagon, pjesërisht edhe për shkak se disa prej këtyre njerëzve kanë marrë shtetësi ruse”, thotë Vujatoviqi.

Lidhjet ruso-serbe mbetën aktive edhe pasi Kremlini nisi pushtimin ushtarak të Ukrainës fqinje në shkurt të vitit 2022. Numri i saktë i shtetasve të Bosnjës që kanë shkuar si mercenarë në frontin e luftës në Ukrainë nuk dihet, por Europoli njoftoi në vitin 2025 se në mesin e qindra pjesëtarëve të identifikuar të grupeve ruse të mercenarëve Wagner dhe Redut ka edhe shtetas të Bosnjë e Hercegovinës, pa dhënë të dhëna më të hollësishme.

Një nga figurat më të njohura është Davor Saviçiq, një serb i Bosnjës, i cili mban gradën e kolonelit në Drejtorinë Kryesore të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Federatës Ruse, e njohur si GRU. Autoritetet ukrainase kanë nisur procedurë penale ndaj tij për krime lufte. /REL

Lajmin e plotë mund ta lexoni KETU: