Tahiri: E dhimbshme dhe e paprecedentë ajo që ndodhi në Kuvend

Deputeti i betuar nga radhët e Aleancës, Besnik Tahiri, ka reaguar pas zhvillimeve në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, ku nuk u arrit të zgjidhej kryetari i Kuvendit.

Tahiri e cilësoi situatën si të paprecedentë dhe të dhimbshme.

“Ajo që e përshkruan ditën e sotme është një ngjarje e paprecedentë, një ngjarje që askush nuk e ka pritur. Është e dhimbshme çka ka ndodhur sot”, deklaroi ai mbrëmë.

Sipas Tahirit, ishte dakorduar që në seancë të votohej kryetari i Kuvendit dhe, në të njëjtën kohë, edhe nënkryetarët. Ai kritikoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin për ndërhyrjen gjatë seancës, duke thënë se nuk kishte të drejtë fjale dhe se kërkesa për më shumë kohë është e pajustifikueshme.

“Procedura u dakordua që do të votohej kryetari dhe në pako nënkryetarët. Të dalë kryeministri, pa të drejtë fjale, të mbajë fjalim e të thotë se i duhet ende kohë, kur ka pasur dy muaj kohë, është e papranueshme”, u shpreh Tahiri.

Ai shtoi se Aleanca nuk do ta pranojë këtë situatë dhe paralajmëroi se partia do të shqyrtojë hapat e saj të mëtejmë politikë.

“Ne si Aleancë nuk do ta tolerojmë këtë. Do t’i shohim cilat janë masat tona për t’iu kundërvënë goditjes që i është dhënë shtetit të Kosovës”, tha Tahiri. /klankosova