Prokuroria kërkon paraburgim për E.R., dyshohet për mashtrim e keqpërdorim
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur në Gjykatën Themelore kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit me inicialet E.R., i cili dyshohet për veprat penale "Mashtrimi" dhe "Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike", sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari ka keqpërdorur mjetet financiare të investuara nga një person tjetër me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, duke i shkaktuar të dëmtuarit një dëm material në vlerë prej rreth 500 mijë euro.
"Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit E.R., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale 'Mashtrimi' dhe 'Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike'," thuhet në njoftimin e institucionit.
Prokuroria bën të ditur se kërkesa për paraburgim është dorëzuar pasi vlerëson se janë përmbushur kushtet ligjore të parapara me Kodin e Procedurës Penale.
"Kjo masë është kërkuar me qëllim të sigurimit të pranisë së të dyshuarit në procedurë penale, zhvillimit të papenguar të hetimeve, si dhe parandalimit të rrethanave që mund të pengojnë zhvillimin e mëtejshëm të procedurës penale", theksohet në komunikatë.
Në përfundim, Prokuroria rithekson angazhimin e saj në luftimin e kriminalitetit dhe zbatimin e ligjit.
"Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë personave që bien ndesh me ligjin", përfundon njoftimi.