Transferimi i ri i Barcelonës emocionohet gjatë prezantimit: Është ëndrra ime e realizuar
Përforcimi i ri i Barcelonës, Jesse Bisiwu, ka shprehur emocionet e tij të para pas transferimit te gjiganti katalanas, duke e cilësuar këtë lëvizje si realizim të një ëndrre të fëmijërisë.
Talenti 18-vjeçar u prezantua së bashku me presidentin e klubit, Joan Laporta, ndërsa në intervistën e parë për mediat zyrtare të Barcelonës tregoi se është pritur jashtëzakonisht mirë nga klubi.
"Ditët e para kanë qenë fantastike. Jam mirëpritur nga një familje e mrekullueshme dhe jam shumë mirënjohës për këtë. Të gjithë kanë qenë shumë miqësorë dhe më kanë bërë të ndihem mirë", deklaroi Bisiwu.
I riu nuk e fshehu emocionin për faktin se tashmë është pjesë e Barcelonës, një klub që e kishte ëndërruar që nga fëmijëria.
"Kur isha i vogël gjithmonë ëndërroja të luaja për një klub të madh si Barça. Të jem këtu sot është një ëndërr e realizuar për mua", u shpreh ai.
Bisiwu zbuloi gjithashtu se ka pasur biseda me trajnerin Hansi Flick, i cili i ka bërë të qarta pritshmëritë për sezonin e ri.
"Hansi më ka mirëpritur shumë mirë. Kemi biseduar disa herë dhe është shumë e qartë se çfarë duhet të bëj këtë vit: të punoj shumë dhe të mësoj sa më shumë", tha talenti i Barcelonës.
Ai premtoi përkushtim maksimal sa herë që do të ketë mundësinë të luajë për ekipin e parë.
"Kur trajneri të ketë nevojë për mua, unë do të jem gati. Dua vetëm të punoj fort dhe të jem i përgatitur. Do të jap gjithçka për këtë stemë", përfundoi Bisiwu.