Vuçiq: Vetëm falë Republikës Serbe, Bosnja nuk e ka njohur Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se Bosnja dhe Hercegovina nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës vetëm për shkak të qëndrimit të Republikës Serbe në kuadër të saj.

Vuçiq, i cili po qëndron në Republikën Serbe të Bosnjës, ka thënë se Beogradi është mirënjohës ndaj këtij entiteti për raportet e afërta me Serbinë dhe për qëndrimin e tij ndaj çështjes së Kosovës.

“Jemi shumë mirënjohës ndaj Republikës Serbe për afërsinë që ka ruajtur me ne, para së gjithash me qytetarët. Kemi arsye t’u jemi mirënjohës atyre. Vetëm falë Republikës Serbe, Bosnja dhe Hercegovina nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, përndryshe në Sarajevë dhe Mostar mezi do të prisnin ta bënin këtë”, ka thënë Vuçiq.

Deklaratat e tij u bënë gjatë vizitës në Republikën Serbe, ku presidenti serb po zhvillon takime dhe po merr pjesë në aktivitetet përkujtimore lidhur me operacionin “Oluja”.

Sipas Vuçiqit, pozicioni i Republikës Serbe brenda Bosnjës dhe Hercegovinës ka qenë vendimtar në ruajtjen e qëndrimit të këtij shteti për të mos e njohur Kosovën.

“Unë as nuk kam arrestuar serbë dhe nuk i kam dorëzuar në Hagë, edhe pse kam pasur kërkesa nga Haga. As nuk kam lejuar që dikush të shkëpusë pjesë të territorit të Serbisë. As nuk kam marrë pjesë në dëbimin e popullit serb”, ka deklaruar ai.

Ai ka shtuar se disa persona, sipas tij, “në fjalë paraqiteshin si nacionalistë të mëdhenj”, por kur përballeshin me presione nga jashtë, vepronin ndryshe.

Duke folur për termin “serbët e Kroacisë”, Vuçiq ka thënë se kjo nuk është vetëm një përcaktim gjeografik, por një mënyrë për t’i paraqitur serbët si pjesë të dikujt tjetër.

“Ne jemi ‘serbë të dikujt’, sepse gjoja i përkasim dikujt tjetër. Jo, ne jemi vetëm serbë, por kemi heshtur për dekada ndaj këtyre gjërave”, ka shtuar ai.

Vuçiq ka folur edhe për situatën në Mal të Zi, duke deklaruar se rreth 50 për qind e njerëzve atje flasin serbisht, por sipas tij, gjuha serbe nuk mund të bëhet gjuhë zyrtare.