Zemaj: Barra për krijimin e institucioneve bie mbi Kurtin, LDK-ja mbetet kundër zgjedhjeve të jashtëzakonshme
Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka deklaruar se qëndrimi i partisë mbetet i pandryshuar sa i përket krijimit të institucioneve të reja, duke theksuar se përgjegjësia për konstituimin e tyre i takon shumicës parlamentare të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.
Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së, Zemaj tha se partia vazhdon të synojë shmangien e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, pasi ato, sipas tij, nuk janë në interes të qytetarëve.
"Evitimi i shkuarjes në zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk i konvenon qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe barra e përgjegjësisë bie mbi Albin Kurtin si shumicë parlamentare për krijimin e institucioneve të reja", tha Zemaj.
Ai shtoi se në mbledhjen e Grupit Parlamentar ka pasur transparencë të plotë, me përjashtim të çështjeve që lidhen me diskutimet e brendshme të partisë.
I pyetur nëse pret ndonjë takim politik gjatë ditës, Zemaj u shpreh skeptik, duke rikujtuar se të enjten është caktuar seanca për konstituimin e Kuvendit.
"Nuk besoj, sepse nesër është thirrur seanca. Jemi në limit të afatit kushtetues dhe nesër duhet të konstituohet Kuvendi i ri i Republikës së Kosovës, e më pas rrjedhin afatet kushtetuese për zgjedhjen e qeverisë dhe presidentit", deklaroi ai.
Duke komentuar takimin e zhvilluar një ditë më parë ndërmjet përfaqësuesve të LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, Zemaj tha se pozicionet e LDK-së tashmë janë publike dhe se çdo partneritet qeverisës duhet të bazohet në një ndarje të balancuar të përgjegjësive.
"Ndarja e pushtetit duhet të jetë e balancuar nëse dëshirohet që të ketë partneritet funksional në interes të Republikës së Kosovës. Nëse ka qëllime personale dhe ambicie personale për mbajtjen e pozitave shtetërore duke i shërbyer një partie politike, atëherë LDK-ja nuk sheh ndonjë mundësi tjetër që të kontribuojë përpos votës demokratike që e ka në Kuvendin e Kosovës", u shpreh ai.
Sa i përket diskutimeve për ndarjen e posteve, Zemaj tha se fokusi nuk duhet të jetë te pozitat, por te funksionaliteti i institucioneve.
Ai theksoi se posti i kryetarit të Kuvendit i takon shumicës parlamentare, ndërsa çështjet që lidhen me ekzekutivin dhe pozitën e presidentit, sipas tij, duhet të trajtohen në kuadër të garantimit të balancës institucionale dhe jo vetëm të interesave partiake.