Haxhiu pas gjetjeve të AUV-it: Produktet me shkelje kritike të tërhiqen nga tregu, rastet penale t’i dërgohen Prokurorisë

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas publikimit të rezultateve të analizave të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) për produktet e qumështit, duke kërkuar masa të menjëhershme ndaj kompanive që kanë shkelur rregullat.

Haxhiu tha se analizat kanë zbuluar shkelje serioze, pasi në disa produkte të qumështit janë konstatuar qumësht pluhur, vaj palme dhe hirrë të padeklaruara në etiketë, si dhe përdorim i ujit të destinuar për ujitje gjatë procesit të prodhimit.

Sipas saj, kjo nuk është më vetëm një çështje teknike, por një mashtrim ndaj konsumatorëve dhe rrezik për shëndetin publik.

"Kur qytetari paguan për qumësht dhe merr diçka tjetër, ai është mashtruar. Kur në prodhimin e ushqimit përdoret ujë i papërshtatshëm, nuk flasim më vetëm për etiketë, flasim për shëndetin e qytetarëve", ka shkruar Haxhiu, transmeton Zeri.info.

Ajo theksoi se rasti bëhet edhe më serioz duke pasur parasysh se industria e qumështit përfiton subvencione dhe mbështetje nga shteti.

Sipas Haxhiut, nga kjo situatë janë dëmtuar edhe fermerët, të cilët dorëzojnë qumësht cilësor, por produkti përfundimtar, sipas saj, zëvendësohet me përbërës më të lirë pa u deklaruar.

"Është mashtruar edhe konsumatori, i cili e ka paguar çmimin e plotë duke besuar se po blen atë që shkruan në etiketë", u shpreh ajo.

Haxhiu kërkoi që produktet me shkelje kritike të tërhiqen menjëherë nga tregu, të pezullohet veprimtaria e operatorëve që kanë vepruar pa autorizim dhe, nëse konstatohen elemente të veprës penale, rastet t'i kalojnë Prokurorisë.

Ajo shtoi se kontrollet nuk duhet të kufizohen vetëm te produktet e qumështit, por duhet të shtrihen edhe në sektorë të tjerë të industrisë ushqimore.

"Qytetarët duhet të hanë dhe të pinë atë për të cilën paguajnë", përfundoi Haxhiu. /Zëri