KGJK-ja të premten do ta shqyrtojë kërkesën e dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) do të mbajë të premten, më 7 gusht, mbledhjen e radhës, ku një nga pikat kryesore të rendit të ditës do të jetë shqyrtimi i kërkesës së ushtrueses së detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, si dhe njoftimeve të gjyqtarëve dhe stafit mbështetës nga komuniteti serb për tërheqjen e dorëheqjeve.
Sipas rendit të ditës, mbledhja përmban 16 pika, ndërsa çështja e tërheqjes së dorëheqjeve është renditur si pika e nëntë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kjo çështje ishte planifikuar të shqyrtohej edhe në mbledhjen e 24 korrikut, por ajo dështoi të mbahej për shkak të mungesës së kuorumit.
Më 19 qershor, ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, i kishte dërguar një letër kryesuesit të KGJK-së, Rrustem Thaqi, përmes së cilës kërkonte që Këshilli t’i jepte epilog çështjes së dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe stafit mbështetës nga komuniteti serb, të ofruara në vitin 2022.
Në letër thuhej se mbajtja pezull e këtyre pozitave për një periudhë të gjatë cenon sigurinë juridike, pengon funksionimin e plotë të sistemit të drejtësisë dhe ndikon në efikasitetin e institucioneve përgjegjëse.
Ndërkohë, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) më 20 korrik refuzoi tërheqjen e dorëheqjeve të prokurorëve dhe stafit mbështetës serb, duke ia dërguar çështjen ushtrueses së detyrës së Presidentes për lirimin e tyre nga detyra.
Një ditë më vonë, Haxhiu nënshkroi dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022.
Pas këtyre vendimeve, Bashkimi Evropian reagoi duke vlerësuar se veprimet e KPK-së dhe të ushtrueses së detyrës së Presidentes duket se nuk janë në përputhje me ligjin, procedurën e rregullt ligjore dhe parimet e sundimit të ligjit në Kosovë.
BE-ja u bëri thirrje institucioneve përgjegjëse që të përmbahen nga veprimet që, sipas saj, mund të pengojnë riintegrimin e personelit gjyqësor serb në sistemin e drejtësisë së Kosovës.