Kurti viziton stacionin rregullues në Mihaliq: Projekti i rehabilitimit të kanalit Ibër-Lepenc kap vlerën 18 milionë euro
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar të martën stacionin rregullues në fshatin Mihaliq të Vushtrrisë, i ndërtuar në kuadër të projektit për rehabilitimin e kanalit kryesor të Ibër-Lepencit. Gjatë vizitës, ai tha se investimi në këtë projekt synon të forcojë sigurinë e furnizimit me ujë për qytetarët dhe infrastrukturën kritike të vendit.
Kurti bëri të ditur se vetëm ndërtimi i stacionit ka kushtuar rreth 2.1 milionë euro, ndërsa vlera e përgjithshme e projektit arrin në 18 milionë euro.
“Ndodhemi këtu në Mihaliq të komunës së Vushtrrisë, në vizitë stacionit rregullues, i cili është ndërtuar në kuadër të rehabilitimit të kanalit Ibër Lepenc, që është financuar me kredi nga Banka Botërore dhe me buxhetin e ndërmarrjes. Vetëm stacioni ka kushtuar afro 2.1 milionë euro. Projekti gjithsej 18 milionë euro, me ç’rast 15 milionë euro janë kredi dhe 3 milionë euro mjete vetanake”, deklaroi Kurti.
Ai kujtoi se stacioni është inauguruar më 29 janar 2025 dhe shpjegoi rëndësinë e tij për sistemin e furnizimit me ujë.
“Stacioni Rregullues apo ‘buferi’, është rezervuar balancues i kanalit i cili i ka këto parametra: kapacitetin vëllimor e ka 30 mijë metra kub; gjatësinë 800 metra; gjerësinë 12 metra; ndërsa thellësinë 4 metra. E mundëson furnizimin emergjent për 24 orë për termocentralet e KEK-ut, ose fabrikën e ujit në Shkabaj, KRU Prishtina, që furnizon pjesën e Prishtinës, Obiliqit, Fushë Kosovës dhe Drenasit në vendin tonë”, tha ai.
Sipas kryeministrit në detyrë, ky stacion mund të përdoret edhe gjatë ndërhyrjeve urgjente apo në raste të turbullimit të ujit, pa ndërprerë furnizimin për konsumatorët.
“Mund të përdoret për riparime urgjente, ndërhyrje gjatë urgjencave, emergjencave, ose në rast të turbullimit të ujit për ujësjellësin, të gjitha këto pa e ndërprerë shërbimin për konsumatorë. Para ndërtimit të stacionit mirëmbajtja e kanalit ka qenë e pamundshme pa e ndërprerë furnizimin. Kanali përshkon 49 kilometra, prej liqenit të Ujmanit deri në Prishtinë”, u shpreh Kurti.
Në fund, ai falënderoi institucionet dhe punëtorët që kanë kontribuar në realizimin e projektit.
“Unë i falënderoj Ministrinë, Ibër Lepencin dhe të gjithë punëtorët të cilët na kanë mundësuar që të vijmë deri tek kjo ditë, në shërbim të qytetarëve pa dallim për një interes edhe publik, edhe jetik, siç është furnizimi me ujë”, shtoi Kurti.