Kurti për digën e Ujmanit: Është pasuri e jashtëzakonshme e Kosovës, vlera e saj vetëm sa rritet

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kryeshefi i Ndërmarrjes Publike “Ibër-Lepenc”, Faruk Mujka, si dhe zyrtarë të tjerë shtetërorë, ka vizituar digën në liqenin e Ujmanit në Zubin Potok.

Gjatë vizitës, Kurti theksoi rëndësinë strategjike të liqenit për furnizimin me ujë të amvisërive, industrisë dhe termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”, duke e cilësuar atë një pasuri me rëndësi të veçantë për vendin.

“Kjo është pasuri e jashtëzakonshme për Republikën e Kosovës dhe gjithë qytetarët pa dallim, përfshirë këtu edhe industrinë tonë. Andaj, ne do të bëjmë me krejt çfarë dimë e mundemi që t’i mbështesim punëtorët, menaxherët që t’i shërbejnë interesit publik dhe në këto kohëra të vështira, të ndryshimeve klimatike kur thatësirat janë bërë gjithnjë e më të shpeshta e të paparashikueshme, natyrisht që vlera e Ujmanit vetëm sa rritet”, tha Kurti.

Sipas tij, liqeni i Ujmanit është më i madhi në Kosovë, me gjatësi rreth 22 kilometra dhe kapacitet prej 350 deri në 370 milionë metra kub ujë, ndërsa rreth dy të tretat e rezervave ujore të vendit ndodhen pikërisht në këtë liqe.

Kurti bëri të ditur se në njësinë punuese të Ujmanit janë të angazhuar rreth 35 punëtorë, kryesisht nga komuniteti serb, ndërsa shërbimi për mirëmbajtjen e liqenit, digave dhe infrastrukturës, i themeluar në vitin 2024, ka 25 punëtorë, prej të cilëve 22 janë shqiptarë dhe tre serbë.

“Shqiptarët dhe serbët punojnë së bashku për ruajtjen e Ujmanit dhe përdorimin sa më efikas të tij”, tha ai.

Kryeministri në detyrë theksoi gjithashtu se projekti “Flows” i Bankës Botërore parasheh vendosjen e sistemeve të alarmimit të hershëm në digë, ndërsa kujtoi se diga është ndërtuar në periudhën 1973-1979 dhe mbushja e liqenit është realizuar në vitin 1979./Zëri