Shoqata e Qumështoreve kërkon të ndalohet përdorimi i vajit të palmës dhe qumështit pluhur

Shoqata e Qumështoreve të Kosovës, ka kërkuar ndalimin  e përdorimit të vajit të palmës në fabrikat e përpunimit të qumështit në Kosovë.

Në një reagim pas publikimit të rezultateve nga AUV, kjo shoqatë ka thënë se të gjeturat tregojnë për shqetësimet e ngritura nga ta vite më parë.

“Vaji i palmës dhe qumështi pluhur duhet të ndalohen në fabrikat e përpunimit të qumështit në Kosovë. Fshehja masive e vajit të palmës dhe qumështit pluhur në produktet e qumështit tregon se jemi duke u përballur me një problem jashtëzakonisht të madh, i cili mund dhe duhet të ndalet. Qindra miliona kilogramë produkte me vaj palme dhe qumësht pluhur duhet të hetohen, ndërsa përgjegjësit duhet të përballen me ligjin. Konsumatorët e Kosovës duhet të qetësohen dhe të rikthehet besimi i tyre, si ndaj produkteve vendore, ashtu edhe ndaj produkteve të importuara”, thuhet në reagimin e tyre në Facebook.

Shoqata e Qumështoreve i ka bërë  thirrje AUV-it që të vazhdojë me të njëjtin intensitet kontrollet dhe hetimet, deri në demaskimin dhe ndalimin e plotë të çdo keqpërdorimi që bëhet në dëm të fermerëve, konsumatorëve dhe shtetit në përgjithësi.