Arrestohet në Karaqevë Egzon Reshani, i kërkuar për vrasje në tentativë dhe vepra të tjera të rënda

Policia e Kosovës ka arrestuar Egzon Reshanin, një person i shpallur në kërkim me urdhërarrest aktiv për disa vepra të rënda penale, pasi tentoi të arratisej drejt Serbisë.

Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur mbrëmjen e 3 gushtit, pak pas orës 22:00, kur zyrtarët e Policisë Kufitare në Stacionin për Mbikëqyrjen e Kufirit në Muçivërcë, gjatë patrullimit në zonën e fshatit Karaqevë e Poshtme, kanë identifikuar një automjet që kishte hyrë nga drejtimi i fshatit Breznicë në Serbi, në drejtim të territorit të Kosovës.

Automjeti u ndal në fshatin Novosellë, ndërsa pasagjeri, i identifikuar si Egzon Reshani, tentoi të largohej me vrap në drejtim të vijës kufitare për t'u kthyer në Serbi.

Policia njofton se zyrtarët reaguan menjëherë dhe arritën ta ndalonin e ta arrestonin në afërsi të kufirit, duke parandaluar largimin e tij nga territori i Kosovës.

Sipas Policisë, ndaj Reshanit ishte në fuqi një urdhërarrest dhe ai kërkohej nga organet e drejtësisë për veprat penale "Vrasje në tentativë", "Fajde", "Privim i kundërligjshëm i lirisë" dhe "Detyrim".

Gjatë kontrollit personal, policia i gjeti dhe sekuestroi edhe një thikë. Me udhëzim të prokurorit kompetent, ndaj tij është iniciuar edhe një rast për veprën penale "Armëmbajtje pa leje".

Pas përfundimit të procedurave nga Policia Kufitare, i dyshuari iu dorëzua njësive kompetente të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren për procedurat e mëtejshme sipas urdhërarrestit dhe rasteve për të cilat kërkohej.

Policia e Kosovës theksoi se mbetet e përkushtuar në kontrollin e kufirit shtetëror, parandalimin e aktiviteteve të kundërligjshme ndërkufitare dhe arrestimin e personave të kërkuar nga organet e drejtësisë. /Zëri