Protesta në Shqipëri hyn në ditën e 65-të, protestohet para Kryeministrisë

Qytetarë u mblodhën sërish sot në sheshin “Skënderbej” në Tiran në në protestën e 65-të kundër investimit turistik të planifikuar në zonën e Zvërnecit.

Pas grumbullimit në qendër të kryeqytetit, protestuesit marshuan përgjatë bulevardit drejt Kryeministrisë, duke shprehur kundërshtimin ndaj projektit dhe duke paraqitur edhe kërkesa të tjera që lidhen me politikat për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.

Me pankarta në duar dhe flamuj kombëtarë, protestuesit kërkojnë shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ndryshimin e ligjit zgjedhor, si dhe largimin e asaj që ata e cilësuan “kastë të vjetër politike”.

“Nuk dorëzohemi”, “Reflekto dhe dorëhiqu”, “Shpresa nuk vdes kurrë”, “Shqipëri e re”, ishin disa nga këto parulla që mbanin në duar qytetarët në shesh.

Një nga protestuesit, vlerësoi frymën e bashkimit të qytetarëve për mbi dy muaj, duke nënvizuar se po japin shpresë. I moshuari tha se partia e tyre është Shqipëria e Re dhe se frika është vrarë përfundimisht.

“Është vrarë frika përfundimisht dhe tani njerëzit shprehen lirisht. Falënderoj të gjithë protestuesit që vijnë këtu dhe na japin shpresë, të rinj e pensionistë, për entuziazmin që po japin këtu në këtë shesh. Protestuesit e kanë krijuar partinë e tyre, Shqipëria e re”, tha ai.

Një tjetër protestues, paralajmëroi nga sheshi “Skënderbej” se këto protesta, të cilat kanë shpërthyer edhe në qytete të tjera, mund të përshkallëzohen deri në mosbindje civile.

“Kjo është qeveria e parë që njihet ndërkombëtarisht se fsheh në Shqipëri para të pista, jo vetëm të mafiozëve shqiptarë, por edhe të atyre të huaj. Dua që kjo protestë të zgjasë, pasi është maratonë, jo sprint. Kjo protestë mund të përshkallëzohet në mosbindje civile anembanë Shqipërisë”, tha ai./atsh