Kosova triumfon në Garat Ndërkombëtare të Memorizimit të Kuranit, fiton 10 çmime në Shkup

Përfaqësuesit e Kosovës kanë shënuar një prej sukseseve më të mëdha në arenën ndërkombëtare të memorizimit të Kuranit, duke fituar 10 çmime në edicionin e katërt të Garave Ndërkombëtare të Memorizimit të Kuranit, të mbajtura në Shkup nga 26 deri më 29 korrik.

Në garat ku morën pjesë rreth 300 garues nga 29 shtete, Kosova u veçua si delegacioni më i suksesshëm, ndërsa kulmi i suksesit erdhi në kategorinë kryesore – hifzi i tërë Kuranit – ku hafëzi nga Gjakova, Alban Doli, fitoi vendin e parë.

Rezultate të larta u arritën edhe në kategoritë e tjera. Në memorizimin e 10 xhuzave të Kuranit, Semra Bashani fitoi vendin e dytë te vajzat, ndërsa Marigona Mellova dhe Hana Maloku ndanë vendin e tretë.

Në kategorinë e memorizimit të pesë xhuzave, Muhamed Morina u rendit i treti te djemtë, ndërsa Daria Smajli fitoi vendin e tretë te vajzat.

Sukseset vazhduan edhe në kategorinë e memorizimit të dy xhuzave, ku Amra Shala u shpall fituese e vendit të parë te vajzat, ndërsa Adonis Xhemajli zuri vendin e dytë.

Në kategorinë e bukurleximit të Kuranit, Amar Hoxha fitoi vendin e dytë, Unejs Pajaziti vendin e tretë, ndërsa Rejana Ajvazi u rendit e dyta në konkurrencën e vajzave.

Bashkësia Islame e Kosovës në këto gara u përfaqësua edhe me hafëzin Mustafë ef. Dallku, anëtar i komisionit vlerësues. Ai tha se konkurrenca ishte shumë e fortë dhe dallimet mes garuesve ishin minimale, por komisioni është përpjekur të bëjë një vlerësim sa më të drejtë.

“Procesi i vlerësimit u lehtësua edhe nga përdorimi i aplikacioneve të reja, të cilat mundësuan një vlerësim sa më të saktë”, theksoi ai.

Në ceremoni morën pjesë Reisul Ulema i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, Zëvendës Ambasadori i Mbretërisë së Arabisë Saudite, z. Ahmed Harbi, Atasheu për Çështje Fetare pranë Ambasadës së Mbretërisë së Arabisë Saudite në Sarajevë, Shejh Abdullatif bin Nasir Al-Husejni, kryetarë të bashkësive islame nga vendet e Ballkanit, myftinj, imamë, dijetarë dhe mysafirë të shumtë.

Sipas Bashkësisë Islame të Kosovës, të gjithë anëtarët e komisionit vlerësues, të udhëhequr nga dr. Sami el Avaxhi, vlerësuan se Kosova ishte shteti me paraqitjen më të suksesshme në këtë edicion, duke realizuar përfaqësimin më dinjitoz dhe duke fituar numrin më të madh të çmimeve mes të gjitha vendeve pjesëmarrëse./Zëri