Rizanaj: Intelegjenca artificiale ndihmon redaksitë, por nuk e zëvendëson gazetarin në terren

Zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale po ndryshon mënyrën se si funksionojnë redaksitë, duke u ofruar gazetarëve mjete që kursejnë kohë dhe lehtësojnë proceset e punës. Megjithatë, pavarësisht përparimeve teknologjike, roli i gazetarit mbetet i pazëvendësueshëm në verifikimin e fakteve, sigurimin e kontekstit dhe garantimin e saktësisë së informacionit.

Kështu vlerëson hulumtuesi i hibrid.info, Festim Rizanaj, i cili thekson se mediat duhet të përshtaten me teknologjinë, por pa hequr dorë nga standardet profesionale të gazetarisë.

“Po mediat në njëfarë forme duhet me u adaptu, përndryshe mbeten prapa në aspektin teknologjik. Është mirë se ka faqe, platforma të ndryshme që sugjerojnë përdorimin e aplikacioneve të ndryshme të cilat pastaj ia lehtësojnë punën gazetarëve, po edhe redaksisë në përgjithësi. Dhe kjo në njëfarë forme duhet të përshtatet gjithsesi brenda redaksisë për shkak se lehtëson shumë punë edhe ju krijon shumë kohë në njëfarë forme gazetarëve, sepse gazetarët mbeten në sfidën e kohës ose presionit. Për shembull, një transkriptim me inteligjencë artificiale i një interviste më të gjatë apo forma të tilla mundet me ia lehtësuar shumë punën gazetarëve, kështu që ju mbetet atyre që me u përshtat me këtë teknologji, me i mësuar domethënë këto aplikacione që hyjnë në punë, në mënyrë që me ecur me kohën në njëfarë forme dhe me ia lehtësuar punën vetes”, tha Rizanaj.

Ai shtoi se teknologjia ka sjellë lehtësime edhe për punën në terren, duke përmendur përdorimin e telefonave mobil për xhirime, por theksoi se njëkohësisht janë shtuar edhe sfidat, veçanërisht në verifikimin e informacionit dhe përmbajtjeve që qarkullojnë në rrjetet sociale.

“Puna në terren po besoj që pak lehtësohet për shkak të këtyre për shembull jo domosdoshmërisht duhet me pasur një kamerë, sot edhe me një telefon mundesh me bërë xhirime dhe kjo është një lehtësim i madh. Po ashtu edhe forma të tjera domethënë lehtësimet e aplikacioneve të ndryshme që i përmenda pak a shumë e lehtësojnë punën. Po kjo mandej sjell edhe sfida të caktuara, domethënë verifikimin e informacioneve sepse shpesh për gazetarët burim i informacionit mbeten edhe mediat sociale, disa faqe, disa spekulime që qarkullojnë në media ose imazhe të caktuara. Edhe mbetet sfidë që ato me i verifikuar se a janë të vërteta apo jo, edhe këtu duhet me pasur parasysh”, ka thënë ai.

Sipas tij, tekstet e gjata më nuk po lexohen, por thotë se edhe ato të shkurta duhet të jenë informuese.

“Po ashtu tash edhe këto format në njëfarë forme se teksti pak a shumë i ka humbur relevanca, sot kryesisht informohemi nëpërmjet imazhit edhe një lloj titulli të shkurtër ose një përshkrimi të shkurtër. Kjo është pak sfiduese sepse në njëfarë forme po bie si një lloj jo informacion i shumë i detajuar, po thjesht një deklaratë pa kontekst, pa ato të dhënat kryesore gazetareske se kur e tha, qysh, në çfarë situate e tha, për çka e tha. E këto mandej po e lënë pak a shumë audiencën jo mirë të informuar dhe kjo po ndikon që mandej kjo mund të përdoret edhe në propaganda të caktuara duke u shpërndarë në rrjete. Po kjo mbetet ajo në njëfarë forme mënyra më e qasshme për momentin, se thashë tekstet e gjata nuk po lexohen, po thjesht është mirë që këto të shkurtat me i dhanë në formë pak më informuese dhe mos me mbet thjesht pa kontekst”, u shpreh ai.

Duke folur për ndikimin e inteligjencës artificiale në profesionin e gazetarit, Rizanaj tha se ajo mund të zëvendësojë disa procese brenda redaksisë, por jo punën e gazetarit në terren.

“Në teren jo, po në redaksi mundet me e zëvendësuar. Për shembull rastet kur kemi komunikata nga institucione të caktuara mundet që një chatbot i krijuar brenda redaksisë që ato komunikata me i kthyer në lajm, thjesht me gjetur një foto ilustruese dhe me publikuar në ëeb faqe pa redaktim ose pa shikimin e një gazetari apo redaktori. Ndërsa në teren është problematike se gazetari duhet me shku vetë në teren, me nxjerrë informacionin, me mbledh informacionet e nevojshme. Pastaj ato mundet me inteligjencë artificiale me i transkriptuar, me i redaktuar, me i rishikuar edhe në raste të caktuara edhe me ilustruar me ndonjë imazh nëse përshtatet. Domethënë kjo është terreni është e vështirë, veç nëse bëhet një gazetar robot në terren që me e zëvendësuar atë. Por përndryshe prapë gazetari mbetet figura kryesore, edhe pse këshillat kryesore janë se çfarëdo që përdoret me inteligjencë artificiale, dora e fundit që i hyhet në aspektin tradicional është që redaktori e gazetari me e parë, domethënë me e rishikuar njëherë në fund se inteligjenca artificiale mundet me kriju halucinacione të ndryshme, me e prishur në raste të caktuara, mos me e ditur kontekstin në njëfarë forme se për çka është ky lajm. Kështu që gazetari ia jep vulën e fundit”, deklaroi Rizanaj./EO