Arrestohet edhe një i dyshuar për krime lufte në Zubin Potok

Policia e Kosovës ka arrestuar edhe një person të dyshuar në kuadër të hetimeve për rastin “krime të luftës” në komunën e Zubin Potokut.

Në njoftimin zyrtar bëhet e ditur se Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, me urdhër të Prokurorisë Speciale, ka arrestuar personin me inicialet J.R.

Sipas autoriteteve, i dyshuari dyshohet për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Policia thekson se arrestimi është rezultat i një pune intensive hetimore të zhvilluar nga hetuesit policorë në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, në kuadër të përkushtimit institucional për hetimin dhe zbardhjen e krimeve të luftës.

“Lidhur me rastin, Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale do të vazhdojnë të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, për çka publiku do të njoftohet me kohë”, thuhet në njoftim.