OIK dënon sulmin ndaj infermieres në Viti: Dhuna ndaj profesionistëve shëndetësorë është e papranueshme
Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë Shëndetësorë (OIK) ka dënuar sulmin fizik ndaj një infermiereje të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti, e cila dyshohet se është sulmuar gjatë kryerjes së detyrës së saj.
Në një reagim publik, OIK e ka cilësuar dhunën ndaj profesionistëve shëndetësorë si të papranueshme, duke theksuar se raste të tilla cenojnë sigurinë e tyre në vendin e punës dhe funksionimin e sistemit shëndetësor.
“Dhuna ndaj profesionistëve shëndetësorë është e papranueshme dhe cenon dinjitetin e profesionit, sigurinë në vendin e punës dhe funksionimin e sistemit shëndetësor”, thuhet në reagimin e OIK-ut.
Oda ka theksuar se asnjë rrethanë nuk mund të arsyetojë përdorimin e dhunës, kërcënimeve apo ushtrimin e presionit ndaj punonjësve shëndetësorë.
Ndërkaq, kryetarja e OIK-ut, Nexhmije Gori, ka shprehur mbështetje për infermieren e sulmuar dhe ka kërkuar nga institucionet kompetente që rasti të trajtohet me seriozitet.
“Kryetarja e OIK-ut, znj. Nexhmije Gori, shpreh mbështetjen e plotë për infermieren e lënduar dhe kërkon nga organet kompetente që rasti të trajtohet me seriozitet, të zbardhet dhe autorët të vihen para përgjegjësisë”, thuhet në reagim.
OIK-u u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë profesionistët shëndetësorë dhe të kontribuojnë në krijimin e një ambienti të sigurt për ofrimin e shërbimeve shëndetësore.