Të xhelozosh kur ngrihet flamuri i Kosovës!

Të xhelozohet kur flamuri i Kosovës ngrihet diku në botë, nga dikush që e respekton, është diçka që vazhdon të më habisë. Më së shumti më habit kur kjo ndodh pikërisht nga disa shqiptarë në Kosovë e Shqipëri.

Rasti i fundit ishte koncerti i yllit botëror të muzikës pop, Katy Perry, e cila gjatë performancës së saj në Sunny Hill Festival në Prishtinë ngriti flamurin e Kosovës në skenë, duke i dhënë atij një simbolikë të veçantë. Ishte një gjest respekti ndaj vendit mikpritës dhe publikut që e priti me entuziazëm. Në fund të fundit, kjo është një praktikë e zakonshme e artistëve ndërkombëtarë gjatë turneve të tyre: të nderojnë vendin ku performojnë.

Megjithatë, ajo që tërhoqi vëmendjen nuk ishte gjesti i artistes, por reagimet kritike në rrjetet sociale nga shqiptarë të Kosovës dhe Shqipërisë. Arsyeja? Katy Perry nuk ngriti flamurin kombëtar shqiptar, por flamurin e shtetit ku po mbante koncertin dhe ky veprim, sipas tyre, nuk pati asnjë vlerë.

Ky reagim është simptomë e një patriotizmi të keqkuptuar. Kur patriotizmi shndërrohet në garë simbolesh, ai humbet kuptimin e tij të vërtetë. Nuk mund të kërkosh respekt për kombin, duke mos respektuar shtetin tënd.

Ngritja e flamurit të Kosovës në një skenë ndërkombëtare ka peshë të veçantë. Kosova mbetet një shtet, pavarësia e të cilit ende kontestohet nga një numër vendesh dhe që vazhdon të përballet me sfida në afirmimin ndërkombëtar. Çdo moment kur flamuri i saj shfaqet me dinjitet para miliona njerëzve, është një kontribut, sado simbolik, në forcimin e identitetit dhe subjektivitetit të saj ndërkombëtar.

Askush nuk po e zëvendëson flamurin kombëtar. Askush nuk po e ul vlerën e tij. Flamuri kuqezi është simboli i identitetit tonë kombëtar dhe do të mbetet gjithmonë i tillë. Por flamuri i Kosovës është simboli i shtetit tonë, institucioneve tona, sovranitetit tonë dhe përfaqësimit tonë në arenën ndërkombëtare. Këto dy simbole nuk janë në konflikt me njëri-tjetrin; ato plotësojnë njëri-tjetrin.

Ironia më e madhe është se shpesh ankohemi pse bota nuk e njeh mjaftueshëm Kosovën, por kur një artiste me famë botërore e vendos flamurin e saj në qendër të skenës para mijëra njerëzve dhe miliona të tjerëve që e ndjekin përmes mediave e rrjeteve sociale, gjejmë arsye për ta kritikuar. Në vend që ta shohim si një mundësi promovimi për Kosovën, e kthejmë në një debat të panevojshëm.

Respekti për flamurin e Kosovës nuk është kundër flamurit shqiptar. Përkundrazi, është respekt për shtetin që shqiptarët e Kosovës ndërtuan me shumë sakrifica. Nëse ne vetë nuk dimë ta vlerësojmë simbolin tonë shtetëror, vështirë se mund të presim që ta bëjnë të tjerët.

Ndoshta problemi nuk është te flamuri që ngriti Katy Perry. Problemi është se ende ka njerëz që nuk e kanë pranuar plotësisht se identiteti ynë kombëtar dhe shtetësia jonë nuk përjashtojnë njëra-tjetrën. Mund të jesh krenar për flamurin kuqezi dhe, në të njëjtën kohë, të ndihesh po aq krenar kur flamuri i Kosovës ngrihet lart në një skenë botërore.

Kjo nuk ndodhi vetëm me këtë rast, ka dhjetëra raste kur njerëzit që e ngrinin flamurin e Kosovës në çdo sukses që i sjellin vendit, gjithmonë gjejnë komente që kritikojnë, ofendojnë, përulin vetëm pse aty nuk është flamuri kuqezi, pa menduar se Kosova fatin e saj e vendoi në vitin 2008 dhe për këtë duhet të punojmë e të bëjmë më shumë që prezantimi jonë si shtet duhet të jetë në çdo cep.

Ata që nuk pëlqejnë valëvitjen e flamurit në çfarëdo aktiviteti, gare, festivali, samiti me ose pavetëdije i bëjnë nder vetëm atyre që nuk duan të shohin Kosovën të pavarur, edhe pse ky realitet s’ka për të ndryshuar asnjëherë, kurrë!

Faleminderit Katy Perry!