Kosova shkëlqen në Sarajevë, fiton gjashtë medalje

Kombëtarja e Kosovës në boks ka shënuar një tjetër sukses të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, duke fituar gjithsej gjashtë medalje në turneun prestigjioz “Mustafa Hajrulahovic – Talijan”, i cili u zhvillua nga 28 korriku deri më 1 gusht 2026 në Sarajevë të Bosnje dhe Hercegovinës.

Kosova e mbylli garën me një medalje të artë, një të argjendtë dhe katër të bronzta, duke konfirmuar nivelin në rritje të boksit kosovar.

Fituesit e medaljeve për Kosovën:

Medalje e artë: Taulant Jakupi (85 kg)

Medalje e argjendtë: Riad Isufi (55 kg)

Medalje të bronzta: Bashkim Bajoku (55 kg), Erdi Aliu (65 kg), Ensar Badallaj (70 kg) dhe Flori Tarani (75 kg).

Në finalet e turneut, Kosovën e përfaqësuan Taulant Jakupi dhe Riad Isufi.

Jakupi zhvilloi një paraqitje mbresëlënëse në kategorinë deri në 85 kilogramë, duke triumfuar me rezultat të pastër 5:0 ndaj boksierit shqiptar Useid Nika. Boksieri kosovar dominoi gjatë të tre raundeve, duke shfaqur teknikë të lartë, disiplinë taktike dhe vendosmëri, çka i siguroi medaljen e artë.

Ndërkohë, në kategorinë deri në 55 kilogramë, Riad Isufi u përball në finale me italianin Tommaso Orlando. Pas një dueli cilësor, Isufi u detyrua të kënaqej me medaljen e argjendtë, duke lënë gjithsesi përshtypje shumë të mira me paraqitjen e tij dhe duke konfirmuar potencialin si një prej boksierëve më premtues të Kosovës.

Kosova u përfaqësua në këtë turne edhe në aspektin e arbitrimit, ku gjyqtari ndërkombëtar Latif Demolli ndau drejtësinë në duelet e turneut.