Rama: Ditë historike për industrinë ushtarake shqiptare, dorëzohen 40 mjetet e para taktike të prodhuara në Shqipëri

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si një “ditë historike për rilindjen e industrisë ushtarake shqiptare” ceremoninë e dorëzimit të 40 mjeteve të para taktike të prodhuara në Shqipëri sipas standardeve të NATO-s, të cilat do t’i kalojnë në përdorim Forcave të Armatosura.

Në fjalën e tij, Rama u shpreh se për shumë vite ushtria shqiptare ishte lënë në mëshirë të fatit dhe mbahej në këmbë falë pasionit, vullnetit dhe patriotizmit të ushtarakëve, ndërsa sipas tij, industria ushtarake shqiptare ishte një realitet i paimagjinueshëm.

“Për një kohë të gjatë nuk bëhej fjalë që të përfytyrohej një industri ushtarake. Historia e tenderave, e blerjeve të makinerive laramane dhe e ngatërresave të ndryshme ishte histori e përditshme e shtetit shqiptar”, deklaroi Rama.

Sipas kryeministrit, Shqipëria tashmë ka hyrë në një fazë të re, ku nuk është më vetëm përdoruese e teknologjisë së mbrojtjes, por edhe projektuese dhe zhvilluese e kapaciteteve të saj teknologjike.

Rama u ndal edhe te historia e sipërmarrëses Arjeta, të cilën e cilësoi protagoniste të kësaj industrie të re. Ai tregoi se ajo, e ardhur nga Bulqiza, pas viteve të emigrimit dhe punës në një fabrikë që prodhonte mjete motorike, vendosi të rikthehej në Shqipëri dhe të krijonte një startup për prodhimin e mjeteve motorike.

Sipas Ramës, pavarësisht vështirësive dhe mungesës së mbështetjes institucionale në fillim, kompania arriti të prodhonte ambulanca në Shqipëri që u eksportuan edhe në Ukrainë. Ai tha se në atë periudhë Shqipëria vijonte të importonte mjete të tilla përmes tenderave.

Kryeministri tha se më pas u krijua kompania shtetërore “KAYO”, me 100% pjesëmarrje të shtetit, e cila sipas tij do të jetë qendra e zhvillimeve të reja në industrinë e mbrojtjes.

“Ne nuk jemi të prirur të blejmë nga jashtë asgjë që mund ta prodhojmë këtu. Nuk jemi të prirur të mikpresim kompani të huaja që marrin asetet tona dhe më pas gjithçka e çojnë jashtë. Duam që çdo kompani që vjen në Shqipëri të pranojë shtetin si ortak”, u shpreh Rama.

Ai theksoi se partneriteti mes “Timak Defence” dhe “KAYO” ka bërë të mundur që shteti shqiptar të ketë aksionet e veta në një kompani prodhuese për ushtrinë.

“Timak Defence” nisi si një startup shqiptar dhe tashmë është kthyer në një fuqi prodhuese për Forcat e Armatosura, ndërsa mjetet e prodhuara në Shqipëri janë realizuar në bashkëpunim me kompani të njohura ndërkombëtare të industrisë së automobilave.

Rama tha se pas vitit 1992, Forcat e Armatosura shqiptare kaluan një periudhë të vështirë, duke iu referuar sipas tij “shkatërrimit dhe çmontimit” të kapaciteteve ushtarake, ndërsa sot po ndërtohet një flotë e re mjetesh sipas standardeve të NATO-s.

Ai bëri të ditur se objektivi është që deri në vitin 2028 ushtria shqiptare të ketë të gjitha mjetet dhe kapacitetet e nevojshme, nga automjetet e lehta deri te sistemet më të sofistikuara.

“Mos u çudisni kur një ditë të vijmë përsëri këtu dhe të ekspozojmë produkte të prodhuara në Shqipëri, të cilat do t’ua japim edhe ushtrive më të mëdha në botë, përfshirë ushtrinë amerikane. Imagjinoni një ushtar amerikan me një produkt ‘Made in Albania’. Kjo është Shqipëria tjetër që kemi ndërtuar”, deklaroi Rama.

Kryeministri shtoi se përveç mjeteve taktike ushtarake, kompania “Timak” po prodhon edhe 14 automjete të reja zjarrfikëse./euronews.al