Dy të lënduar në një aksident trafiku në Istog

Dy persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku, që ka ndodhur të premten në Istog.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka konfirmuar për “Zërin” se aksidenti është raportuar rreth orës 13:42 në rrugën "Fehmi Agani", ku janë përfshirë dy automjete.

“Rreth orës 13:42, Policia në Stacionin Policor në Istog është njoftuar për një aksident trafiku në rrugën ‘Fehmi Agani’ në Istog. Dy vetura ishin të përfshira. Nga aksidenti dy persona kanë pësuar lëndime të lehta dhe janë dërguar në QKMF në Istog për trajtim mjekësor”, ka deklaruar Gashi.

Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është duke trajtuar rrethanat e aksidentit. /Zëri