Casemiro: Messi është një nga perënditë e futbollit
Casemiro ka shprehur admirimin e tij të madh për Lionel Messin, duke e cilësuar argjentinasin si një prej figurave më të mëdha në historinë e futbollit.
Mesfushori brazilian, i cili së fundmi u prezantua si lojtar i Inter Miamit, ka zbuluar se mundësia për të luajtur përkrah Messit ishte një nga arsyet kryesore që ndikuan në vendimin e tij për t’u transferuar në Major League Soccer.
“Gjithmonë kam dashur të jem me më të mirët. Kam ëndërruar çdo ditë të luaja me të. E di që është pothuajse e pamundur ta ndalosh Messin. Unë nuk kam arritur kurrë ta bëj këtë dhe gjithmonë kam pasur nevojë për ndihmën e bashkëlojtarëve”, ka deklaruar Casemiro.
Ish-lojtari i Real Madridit theksoi se çdo futbollist dëshiron të ndajë fushën me një lojtar të nivelit të Messit dhe se ai po shijon një moment të veçantë në karrierën e tij.
“Çdo futbollist ëndërron të luajë me një nga më të mirët e të gjitha kohërave. Unë po jetoj një ëndërr dhe dua ta shijoj këtë moment, por gjithashtu dua ta ndihmoj atë të vazhdojë të fitojë”, u shpreh braziliani.
Casemiro e përshkroi Messin si “një nga perënditë e futbollit”, duke vlerësuar jashtëzakonisht shumë sukseset dhe ndikimin e tij në këtë sport.
Braziliani gjithashtu zbuloi se kishte qenë i qartë për zgjedhjen e tij nëse do të vendoste të luante në MLS, duke theksuar se Inter Miami ishte destinacioni i vetëm që kishte në mendje.
“Nëse do të luaja për një ekip në MLS, ai ekip do të ishte Inter Miami”, përfundoi Casemiro.
Tashmë, tifozët e Inter Miamit do të kenë mundësinë të shohin në të njëjtën skuadër dy emra të mëdhenj të futbollit botëror, Lionel Messin dhe Casemiron.