Arrestohet në Kosovë një i kërkuar nga INTERPOL-i, dyshohet se përdorte pesë identitete të rreme

Një operacion i përbashkët i Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë të zbatimit të ligjit, ka çuar në identifikimin dhe arrestimin e një personi të kërkuar ndërkombëtarisht, i cili dyshohet se përdorte pesë identitete të ndryshme dhe rezulton i dënuar me 17 vjet burgim në Shqipëri për vrasje dhe zhvatje.

Sipas një komunikate të përbashkët, hetimet kanë nisur më 17 qershor 2026, kur një person me inicialet B.K. është paraqitur në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC) për të vazhduar dokumentet e identifikimit. Gjatë verifikimit, zyrtarët kanë konstatuar se identiteti i përdorur i përkiste një personi të ndjerë prej vitesh, duke ngritur dyshime për keqpërdorim të identitetit.

I dyshuari është shoqëruar në Polici dhe është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, por ka shfrytëzuar të drejtën për të mos dhënë deklaratë. Me urdhër të prokurorit është ndaluar për 48 orë, ndërsa më pas ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit.

Për verifikimin e identitetit të tij të vërtetë, autoritetet kosovare kanë aktivizuar bashkëpunimin ndërkombëtar përmes Interpolit dhe Europolit, duke shpërndarë të dhënat biometrike dhe gjurmët e gishtërinjve.

Nga informacionet e siguruara nga autoritetet e Gjermanisë, Francës, Austrisë, Belgjikës, Shqipërisë, Hungarisë dhe shteteve të tjera partnere, është konfirmuar se i dyshuari kishte përdorur pesë identitete të ndryshme, të lidhura kryesisht me Greqinë, Shqipërinë dhe Kosovën, me të cilat kishte vepruar dhe udhëtuar në disa shtete evropiane.

Hetimet e mëtejshme, në bashkëpunim me autoritetet e Gjermanisë dhe Shqipërisë, kanë bërë të mundur identifikimin e identitetit të tij autentik. Sipas Prokurorisë, personi i arrestuar është shtetas i Republikës së Shqipërisë me inicialet E.K., i cili figuronte në sistemin e Interpolit me njoftim të kuq ("Red Notice").

Autoritetet shqiptare kanë konfirmuar identitetin e tij dhe kanë njoftuar se ai është dënuar me 17 vjet burgim për veprat penale "Vrasje" dhe "Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë".

Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës kanë theksuar se do të vazhdojnë bashkëpunimin me institucionet vendore dhe ndërkombëtare për identifikimin dhe sjelljen para drejtësisë të personave që i shmangen ligjit. /Zëri