KOMF: Institucionet parashkollore të zbatojnë me rigorozitet kërkesat për vaksinim

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka shprehur shqetësim për rritjen e numrit të rasteve me fruth në Kosovë, duke u bërë thirrje institucioneve parashkollore të zbatojnë në mënyrë rigoroze kërkesat për vaksinim të fëmijëve.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), deri më 27 korrik 2026 janë konfirmuar 78 raste me fruth. Aktualisht, 17 fëmijë janë të shtruar në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po marrin trajtim mjekësor, ndërsa dy prej tyre po trajtohen me mbështetje me oksigjen për shkak të vështirësive në frymëmarrje. Shumica e fëmijëve të prekur janë të moshës 1 deri në 2 vjeç.

KOMF-i thekson se shqetësim i veçantë mbetet përhapja e fruthit në dy institucione parashkollore, ku janë prekur fëmijë të pavaksinuar.

Sipas masave të IKSHPK-së, në institucionet parashkollore dhe shkollore nuk lejohet pranimi i fëmijëve pa dokumentin zyrtar që dëshmon vaksinimin.

"KOMF-i thekson se institucionet parashkollore janë të obliguara t'i zbatojnë në mënyrë rigoroze masat parandaluese të përcaktuara nga IKSHPK. Prandaj, KOMF-i u bën thirrje institucioneve parashkollore t'i zbatojnë me përgjegjësi këto masa dhe të sigurojnë mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve", thuhet në reagim.

Po ashtu, KOMF-i u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që t'i vaksinojnë fëmijët sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit, duke theksuar se vaksinimi është obligim ligjor dhe masa më efektive për mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së fëmijëve. /Zëri