SHBA-ja intensifikon sulmet ndaj Iranit, CENTCOM-i: U goditën dhjetëra objektiva

Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një valë të re sulmesh ajrore ndaj Iranit, pasi Uashingtoni akuzoi Teheranin për sulme ndaj forcave amerikane në Lindjen e Mesme.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se ka përfunduar një seri sulmesh ndaj objektivave të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), duke goditur qendra komanduese ushtarake, baza raketore dhe të dronëve, sisteme të mbikëqyrjes, mbrojtjes bregdetare dhe kapacitete detare.

Sipas mediave shtetërore iraniane, sulme janë regjistruar edhe në ishullin Qeshm dhe në qytetin jugor të Abadanit.

Ndërkohë, mediat amerikane raportojnë se administratës së presidentit Donald Trump i është paraqitur një plan dyjavor për intensifikimin e bombardimeve me synim dobësimin e kapaciteteve raketore të Iranit.

Ndërkaq, Autoriteti Portual i Damietës në Egjipt bëri të ditur se porti vazhdon të funksionojë normalisht, pavarësisht sulmit me dronë nga Irani një dite më parë, i cili shkaktoi zjarr dhe dëme në dy anije.

Në anën tjetër, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, në një intervistë për ABC News, deklaroi se Izraeli dhe SHBA-ja janë të koordinuara për çështjen e Iranit, por se vendimet për hapat e ardhshëm i takojnë presidentit Donald Trump.

Ai tha se ekzistojnë tri opsione: arritja e një marrëveshjeje me Iranin, vazhdimi i bllokadës detare ose veprimet ushtarake, duke shtuar se qëllimi i përbashkët mbetet ndalimi i programit bërthamor iranian. Netanyahu u shpreh gjithashtu skeptik për qëndrimin e Teheranit, por tha se një marrëveshje do të ishte e mirëpritur nëse arrihet përmes presionit ekonomik dhe diplomatik. /rtk