“Daily Mail”: Shqipëria kryeson preferencat e britanikëve

Britanikët po heqin dorë nga pushimet e ëndrrave në destinacione të largëta dhe po zgjedhin alternativa më të lira evropiane, ndërsa kostot e udhëtimit vazhdojnë të rriten, shkruan Alessia Fidler në median britanike “Daily Mail”.

Pushimet e ëndrrave në Japoni, Kaliforni, Australi dhe Maldive po zëvendësohen gjithnjë e më shumë me alternativa më të lira në Evropë, pasi britanikët po përpiqen të ulin kostot e udhëtimeve.

Një studim i ri i kryer nga “Go Compare” zbuloi se pothuajse katër në dhjetë ose 39% e britanikëve, që planifikojnë pushimet verore kanë ndryshuar planet e tyre fillestare, për shkak të presioneve buxhetore, ndërsa kostoja e pushimeve rezultoi faktori kryesor.

Një e treta ose 33% e britanikëve thanë se, rritja e kostove të udhëtimit i ka detyruar të rishqyrtojnë destinacionet për pushime, duke zgjedhur vende si Shqipëria, Italia, Greqi dhe Spanja në vend të destinacioneve të largëta.

Këto destinacione evropiane ofrojnë përvoja të ngjashme, por me çmime të favorshme përsa i përket udhëtimeve ndërkontinentale.

“Ajo çfarë po shohim është se, turistët po i përshtatin planet e tyre, në vend që të heqin dorë nga pushimet. Edhe pse vazhdojnë të kërkojnë përvoja të paharrueshme, shumë prej tyre po kërkojnë mënyra të ndryshme për t’i bërë këto udhëtime të realizueshme”, tha Nick Parkhouse, ekspert i sigurimit të udhëtimit në “Go Compare”.

Destinacionet evropiane po ofrojnë një alternativë tërheqëse për ata që fillimisht kishin ëndërruar udhëtime të largëta, duke u dhënë mundësinë të zbulojnë vende të reja, ndërsa balancojnë kostot, komoditetin dhe cilësinë.

Ja disa nga alternativat më të mira evropiane, në vend të destinacioneve të shtrenjta ndërkontinentale:

1. Zëvendësoni Maldivet me Shqipërinë

Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në mediat ndërkombëtare të turizmit, ku shpesh cilësohet si “Maldivet e Evropës”, falë ujërave të saj të kristalta, vijës së mrekullueshme bregdetare dhe kostove shumë më të ulëta krahasuar me destinacionet ekzotike.

Për udhëtarët që nuk dëshirojnë të shpenzojnë qindra paund për fluturime apo të përballen me një udhëtim rreth dhjetë orësh, Shqipëria përfaqëson një alternativë tërheqëse dhe lehtësisht të arritshme. Me rreth 300 ditë me diell në vit dhe temperatura që mbeten mbi 18°C deri në muajin nëntor, vendi ofron kushte ideale për pushime përgjatë një pjese të madhe të vitit.

Plazhet me ujëra të kthjellëta, natyra e paprekur dhe peizazhet mbresëlënëse e kanë kthyer Shqipërinë në një nga destinacionet me rritjen më të shpejtë të turizmit në Evropë. Për ata që preferojnë një alternativë tjetër mesdhetare, edhe ishulli i Kretës në Greqi ofron plazhe me rërë të artë dhe hotele luksoze, megjithëse me një kosto më të lartë se Shqipëria.

Diferenca në çmim është e konsiderueshme. Një fluturim vajtje-ardhje drejt Shqipërisë në muajin shtator mund të kushtojë vetëm 46 paund, ndërsa udhëtimi zgjat rreth tre orë në secilin drejtim. Në kontrast, fluturimet drejt Maldiveve kushtojnë zakonisht nga 500 deri në 600 paund, pa përfshirë shpenzimet e akomodimit.

Edhe akomodimi është dukshëm më ekonomik. Ndërsa vilat ikonike të ndërtuara mbi ujë në Maldive shpesh kushtojnë qindra paund për natë, në Shqipëri vizitorët mund të gjejnë hotele dhe struktura turistike cilësore me çmime shumë më të përballueshme, duke shijuar të njëjtën atmosferë bregdetare dhe ujëra të kristalta, edhe pse jo në vila të vendosura mbi det.

2. Zëvendësoni Luginën Napa në Kaliforni me Toskanën, Itali

3. Zëvendësoni Japoninë me Dyseldorfin në Gjermani

4. Zëvendësoni Gold Coast, Australi me Zarautz, Spanjë

5. Zelandën e Re… me Evropën Veriore. /atsh