Dua Lipa vazhdon misionin për promovimin e leximit me Festivalin e Letërsisë në Londër

Është bërë i ditur programi i London Literature Festival 2026 në Southbank Centre, i kuruar nga Dua Lipa dhe Service95 Book Club, i cili do të sjellë në skenë disa prej emrave më të njohur të letërsisë, poezisë dhe mendimit bashkëkohor.

Edicioni i këtij viti do të mbledhë zëra të njohur ndërkombëtarë, përfshirë figura si Patti Smith, Zadie Smith dhe Mustafa, si dhe autorë e krijues që po formësojnë diskutimet më të rëndësishme kulturore të kohës, shkruan KultPlus.

Në program përfshihet “Translated Fiction Showcase”, një mbrëmje kushtuar letërsisë së përkthyer, ku do të prezantohen autorë nga vende të ndryshme të botës, përfshirë Samanta Schweblin nga Argjentina, Nelio Biedermann nga Zvicra, Gawl Faye nga Ruanda dhe Intan Paramaditha nga Indonezia.

Një tjetër aktivitet i veçantë është “Fierce Sounds”, i cili do të eksplorojë lidhjen mes ritmit, formës dhe tingullit në shkrim, me pjesëmarrjen e Kae Tempest, Omar Musa, Sufiyaan Salam dhe Jacqueline Crooks.

Festivali do të sjellë gjithashtu diskutimin “Rewriting Male Tenderness”, me shkrimtarët Caleb Azumah Nelson dhe Tomasz Jedrowski, si dhe një bisedë me aktivisten dhe fituesen e Çmimit Nobel për Paqe, Nadia Murad.

Në bashkëpunim me English PEN, do të zhvillohet edhe aktiviteti “Censorship Live!”, i moderuar nga gazetari dhe prezantuesi Oliver Bullough, ku do të trajtohen temat e lirisë së shprehjes dhe censurës.

Përmes Service95 Book Club, Dua Lipa ka zgjeruar angazhimin e saj në promovimin e letërsisë dhe kulturës, duke krijuar një hapësirë për autorë dhe lexues nga e gjithë bota.

Regjistrimet për qasje të hershme në biletat e festivalit janë hapur përmes buletinit të Service95, ndërsa shitja e përgjithshme e biletave nis më 5 gusht. /kultplus

 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Service95 Book Club with Dua Lipa (@service95bookclub)