Deklarata e Pauniviqit për “spastrim etnik në Kosovë”, kongresistët kërkojnë zhvendosjen e mbledhjes së OSBE-së nga Serbia në SHBA

Kongresisti amerikan, Joe Wilson, propozues i nismës për zhvendosjen e sesionit vjetor të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së nga Serbia në Karolinën e Jugut, thotë se arsyeja kryesore për këtë propozim është “ndikimi i tepruar” i presidentit rus, Vladimir Putin, në Serbi.

“Fatkeqësisht, krimineli i luftës, Putin, e ka blerë kompaninë kombëtare të naftës, NIS. Përveç kësaj, ekziston edhe ndikimi i tepruar i Partisë Komuniste të Kinës në fushën e komunikimeve dhe investimeve të tjera. Ajo që për mua është edhe më e papranueshme, është lidhja me diktaturën në Teheran”, thotë Wilson në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

I pyetur për faktin se Serbia po zhvillon negociata për shitjen e NIS-it, që është në pronësi shumicë ruse, Wilson thotë se “negociatat nuk janë të mjaftueshme”.

Ndërkohë që ekspertë të ndryshëm e mbështesin propozimin e ligjvënësve amerikanë që sesioni i ardhshëm vjetor i Asamblesë Parlamentare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të mbahet në Shtetet e Bashkuara dhe jo në Serbi, vetë organizata konfirmon për Radion Evropa e Lirë se është në dijeni të rezolutës.

“Si institucion parlamentar ndërkombëtar, Asambleja vazhdon punën në përputhje me rregullat dhe procedurat e saj të përcaktuara, përfshirë ato që rregullojnë vendimet për vendin ku mbahen takimet e saj”, thonë nga Sekretariati Ndërkombëtar i OSBE-së për Radion Evropa e Lirë.

Pse është problematike Serbia?

Lidhjet e ngushta të Serbisë me Rusinë, si dhe deklaratat e fundit të ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, për Kosovën, janë në qendër të përpjekjeve të kongresistëve amerikanë për ta zhvendosur sesionin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së nga Serbia në Shtetet e Bashkuara.

Të udhëhequr nga kongresisti Joe Wilson, republikan dhe shef i delegacionit amerikan në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, një grup dypartiak ligjvënësish dorëzoi në Kongres një rezolutë, me të cilën kërkon që sesioni i ardhshëm i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së të mbahet në Çarllston të Karolinës së Jugut, dhe jo në Beograd.

“Deklaratat e fundit të zyrtarëve të lartë të Qeverisë së Serbisë, së bashku me aleancën e vazhdueshme të Serbisë me kriminelin e luftës, Putin, ngrenë pikëpyetje serioze nëse Serbia është vendi i duhur për të pritur një nga institucionet kryesore evropiane të përkushtuara ndaj demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit”, thuhet në letrën e nënshkruar nga Wilson, me origjinë nga Karolina e Jugut, drejtuar presidentit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Pere Joan Pons Sampietro, dhe sekretarit të përgjithshëm, Roberto Montella.

“Fatkeqësisht, kërcënimet që vijnë nga Serbia nuk do të duhej të ekzistonin në shekullin XXI. Kjo nuk duhet të ndodhë”, thotë Wilson për Radion Evropa e Lirë.

“Mënyra për ta ndryshuar këtë, është ndërprerja e ndikimit të kriminelit të luftës, Putin, në Serbi, ndalimi i ndikimit të Partisë Komuniste të Kinës, i cili është shumë tinëzar, si dhe shkëputja e çdo lidhjeje me diktaturën në Teheran, e cila ka synim të qartë t’i shkaktojë vdekje Amerikës”, shton ai.

Nëse dëshiron ta ruajë kredibilitetin e saj, OSBE-ja duhet të jetë e qëndrueshme me parimet që i mbron, thotë Ivana Stradner nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive në Uashington.

“Një shtet që refuzon ta harmonizojë politikën e jashtme me partnerët evropianë, ndërkohë që thellon marrëdhëniet me Rusinë, Kinën dhe Iranin, vështirë se mund të jetë një mikpritës i besueshëm për një takim kushtuar sigurisë evropiane”, thotë Stradner për Radion Evropa e Lirë.

“Sa më të thella të jenë lidhjet e Beogradit me Moskën, Pekinin dhe Teheranin, aq më e vështirë bëhet të shpjegohet pse pikërisht Beogradi duhet të jetë mikpritës i një organizate që mbështetet mbi demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut”, shton ajo.

Me këtë vlerësim pajtohet edhe Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins SAIS në Uashington, i cili thotë se do të ishte “gabim i madh” që Asambleja Parlamentare e OSBE-së të mbahej në Beograd.

“Mbajtja e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Beograd, në një kohë kur edhe sipas vlerësimeve zyrtare të Bashkimit Evropian Qeveria vepron në mënyrë mjaft antidemokratike, do të dërgonte një sinjal krejtësisht të gabuar”, thotë Joseph për Radion Evropa e Lirë.

Joseph, njohës i mirë i Ballkanit Perëndimor, thekson se e mbështet plotësisht nismën e ligjvënësve amerikanë.

Sipas tij, rezoluta pasqyron shqetësimin e thellë të anëtarëve të Kongresit nga të dyja partitë, përfshirë republikanë me ndikim, lidhur me drejtimin që po ndjek Serbia.

Rezoluta u mbështet nga 41 ligjvënës dhe Joseph thekson se vetë fakti që ajo ka marrë mbështetje dypartiake, është domethënës.

“Një nismë dypartiake e çfarëdo lloji në Kongresin amerikan është shumë e pazakontë këto ditë. Prandaj, kjo është një shenjë e qartë e shqetësimit serioz që ekziston në Kongres për këtë çështje”, thotë ai.

“Shpresoj që OSBE-ja ta marrë këtë parasysh dhe ta zhvendosë Asamblenë Parlamentare ose në Shtetet e Bashkuara, ose në ndonjë vend tjetër”, shton Joseph.

Sesioni vjetor i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së u planifikua të mbahet vitin e ardhshëm në Beograd, pas një vendimi të marrë nga Komiteti i Përhershëm i organizatës, gjatë mbledhjes së fundit në Hagë, shpjegojnë nga Sekretariati Ndërkombëtar i OSBE-së.

“Në të njëjtën mbledhje të Komitetit të Përhershëm, delegacioni i Shteteve të Bashkuara e njoftoi Asamblenë se nuk do të ishte në gjendje të vazhdonte organizimin e sesionit vjetor të vitit 2027 në Çarllston, Karolinë e Jugut”, thuhet në përgjigjen e Sekretariatit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së.

“Pas këtij zhvillimi dhe ofertës së delegacionit të Serbisë, Komiteti i Përhershëm vendosi që sesioni të mbahet në Beograd”, thuhet po ashtu në përgjigje.

Beogradi ishte mikpritës më herët

Asambleja Parlamentare e OSBE-së përbëhet nga 323 anëtarë nga 57 shtete, përfshirë Serbinë dhe Shtetet e Bashkuara.

Anëtarët emërohen nga parlamentet e vendeve të tyre dhe mblidhen të paktën tri herë në vit.

Misioni kryesor i Asamblesë është ta lehtësojë dialogun ndërparlamentar për të avancuar objektivat e OSBE-së në fushën e sigurisë gjithëpërfshirëse.

Asambleja Parlamentare u themelua në Samitin e Parisit në vitin 1990, me synimin për të rritur përfshirjen e parlamenteve kombëtare të shteteve pjesëmarrëse në punën e OSBE-së.

Sot, ajo luan gjithashtu rol në mbështetjen e forcimit dhe konsolidimit të institucioneve demokratike në vendet anëtare.

Sesioni vjetor i këtij viti u mbajt në Hagë të Holandës, me fokus tek e drejta ndërkombëtare dhe parimet e përbashkëta.

Beogradi, i cili u caktua të presë Asamblenë Parlamentare vitin e ardhshëm, ishte mikpritës i të njëjtit takim edhe në qershor të vitit 2011.

Por, sipas Josephit, rrethanat sot janë krejt ndryshe.

“Zgjedhjet e vitit 2012 e ndryshuan në mënyrë dramatike drejtimin e vendit”, thotë ai.

Në ato zgjedhje, Partia Përparimtare Serbe (SNS), së bashku me presidentin aktual, Aleksandar Vuçiq, mori pushtetin, duke mposhtur forcat politike që rrëzuan autokratin Sllobodan Millosheviq në vitin 2000.

Edhe pse është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia, prej gati pesë vjetësh, nuk ka hapur asnjë kapitull të ri negociues.

Ndër arsyet kryesore janë: mungesa e përparimit në sundimin e ligjit dhe mosharmonizimi i politikës së saj të jashtme me atë të BE-së.

Dy muaj pasi u hap kapitulli i fundit negociues, nisi lufta në Ukrainë.

Serbia nuk e harmonizoi politikën e saj të jashtme me atë të Bashkimit Evropian dhe nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë.

Kjo u bë shkaku kryesor i bllokimit të negociatave të anëtarësimit, ndërkohë që situata në fushën e sundimit të ligjit u përkeqësua më tej.

Në raportin më të fundit për sundimin e ligjit për vitin 2026, Komisioni Evropian theksoi se në Serbi vazhdojnë të ekzistojnë probleme dhe se, madje, në disa fusha ato janë përkeqësuar.

Raporti veçoi shqetësimet lidhur me pavarësinë e gjyqësorit, autonominë e prokurorisë, luftën kundër korrupsionit, lirinë e mediave dhe qeverisjen demokratike.

Në letrën drejtuar OSBE-së, kongresisti Wilson theksoi se Serbia mbetet një nga vendet e pakta evropiane që refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë, “ndërsa, njëkohësisht, vazhdon të thellojë lidhjet politike, ekonomike dhe energjetike me Moskën”.

Ligjvënësit amerikanë nënvizuan, gjithashtu, se Serbia vazhdon të mbajë në fuqi regjimin pa viza me Rusinë.

Falë këtij regjimi, mijëra shtetas rusë kaluan përmes Serbisë, pasi Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022 dhe Perëndimi vendosi sanksione ndaj Rusisë.

Sipas të dhënave të vitit të kaluar të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, më shumë se 48.000 shtetas rusë kanë lejeqëndrim të përkohshëm në Serbi.

Për më tepër, pavarësisht paralajmërimeve të Bashkimit Evropian për rreziqet e mundshme të sigurisë, mbi 300 shtetas rusë kanë marrë shtetësinë serbe që nga fillimi i agresionit rus ndaj Ukrainës.

“Politika e përgjithshme e Serbisë ka ruajtur në mënyrë të vazhdueshme ndikimin politik, ekonomik dhe diplomatik të kriminelit të luftës, Putin, në Ballkan - gjë që bie ndesh me përgjigjen e koordinuar të shumicës së shteteve anëtare të OSBE-së pas agresionit vdekjeprurës të Rusisë kundër Ukrainës”, thuhet në letrën e kongresistëve amerikanë.

Joseph thekson se harmonizimi me sanksionet e Bashkimit Evropian, është një detyrim i Serbisë si vend kandidat për anëtarësim në BE.

Serbia duhet të vendosë se në cilën anë qëndron, thotë ai, duke përsëritur mesazhin e kancelarit gjerman, Friedrich Merz, të dhënë gjatë Samitit BE-Ballkani Perëndimor.

Në samitin e mbajtur në fillim të qershorit në Tivat, Merz deklaroi se është e papranueshme që Serbia të vazhdojë të balancojë mes Kinës, Rusisë dhe Evropës.

“Serbia duhet të vendosë qartë se ku e sheh të ardhmen e saj. Nëse përgjigjja e Serbisë është Evropa, atëherë përgjigjja e Evropës është Serbia”, tha atëkohë Merz.

Megjithatë, Joseph vlerëson se arsyeja e vërtetë pse Serbia vazhdon marrëdhëniet me Rusinë dhe refuzon të vendosë sanksione, është se “Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë lejuar”.

“Vetëm tani po e shohim këtë deklaratë të rëndësishme të kancelarit Merz në Tivat. Do të shohim nëse Gjermania dhe Bashkimi Evropian do të reagojnë. Po ashtu, ky është një sinjal shumë i rëndësishëm nga anëtarët e Kongresit dhe mbetet të shihet nëse administrata amerikane do ta marrë parasysh këtë mesazh”, thotë Joseph.

Stradner e veçon, gjithashtu, politikën e balancimit të Serbisë, duke thënë se pushteti i presidentit Aleksandar Vuçiq sot i ngjan më shumë “një skene të balancimit gjeopolitik sesa një simboli të vlerave evropiane”.

“Politika e Vuçiqit nuk është neutralitet. Ajo është një negociatë e vazhdueshme për të parë se kush ofron më shumë: fondet evropiane, investimet kineze, mbështetja ruse apo legjitimiteti amerikan”, thotë Stradner.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi së voni - pavarësisht paralajmërimeve të Perëndimit - se Serbia planifikon të blejë një kontingjent të ri raketash balistike supersonike nga Kina.

Sipas regjistrave ndërkombëtarë për armatimin, Serbia është i vetmi shtet në Evropë që zotëron raketa të këtij lloji, ndërsa Kina është furnizuesi më i madh ushtarak i Beogradit.

Si Bashkimi Evropian, ashtu edhe Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar në disa raste Serbinë për rreziqet që sjell thellimi i bashkëpunimit ushtarak me Kinën.

Marrëdhëniet me Iranin

Përveç marrëdhënieve me Rusinë, kongresisti amerikan, Wilson, shkroi në platformën X se Serbia është nën “ndikimin e tepruar rus, kinez dhe iranian”.

Ai përmendi, gjithashtu, se një zyrtar serb mori pjesë në funeralin e Ali Khameneit, udhëheqësit suprem të Iranit, i cili u vra në një operacion të përbashkët ushtarak të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, më 28 shkurt.

Ministri serb për Informim dhe Telekomunikacion, Boris Bratina, ishte ndër përfaqësuesit e paktë evropianë që mori pjesë në funeralin e udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollahut Ali Khamenei.

Viteve të fundit, Beogradi zyrtar ka ruajtur marrëdhënie miqësore me Iranin, ndonëse ky vend është nën sanksione ndërkombëtare për shkak të programit të tij bërthamor dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Në letrën drejtuar OSBE-së, Wilson përmendi edhe deklaratën që ministrja serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, dha më herët gjatë këtij muaji:

“Po të isha Sllobodan Millosheviqi, do të kisha kryer spastrim etnik në Kosovë në vitin 1998”.

Një hulumtim i Radios Evropa e Lirë zbuloi se Paunoviq, për vite me radhë sa ishte deputete në Serbi, merrte pagë edhe si drejtoreshë e një institucioni farmaceutik në Kosovë, madje edhe pasi ai institucion kishte pushuar së ekzistuari.

Ministrja serbe i mohoi këto gjetje.

“Deklarata që mund të interpretohen si mbështetje për spastrimin etnik janë thelbësisht të papajtueshme me parimet mbi të cilat është themeluar OSBE-ja”, thuhet në letrën e Wilsonit.

Gjatë luftës në Kosovë u vranë më shumë se 13.000 civilë, kryesisht shqiptarë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.

Udhëheqësit e atëhershëm të Jugosllavisë dhe drejtues të forcave të sigurisë u shpallën fajtorë nga Tribunali i Hagës si pjesëmarrës në një ndërmarrje të përbashkët kriminale, që synonte dëbimin me forcë të qindra mijëra civilëve shqiptarë nga Kosova në periudhën mars-qershor 1999.

Çfarë do të ndodhë me sesionin vjetor?

Kongresisti Wilson thotë se do të vazhdojë të angazhohet që Shtetet e Bashkuara të jenë mikpritëse të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në vitin 2027.

Por, nëse kjo nuk realizohet, ai thotë se ka një pritje të qartë.

“Shpresoj që, pavarësisht se cili shtet do të jetë mikpritës, ai të jetë një vend që do të kufizojë ndikimin e kriminelit të luftës, Putin, ndikimin e Partisë Komuniste të Kinës dhe ndikimin e mullahëve në Teheran, të cilët e duan vdekjen e Amerikës”, thotë Wilson për Radion Evropa e Lirë.

Radio Evropa e Lirë kërkoi koment nga Kuvendi i Serbisë lidhur me rezolutën që kërkon zhvendosjen e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së nga Serbia, por nuk mori përgjigje.

Pa përgjigje mbeti edhe kërkesa drejtuar Zyrës së Presidentit të Serbisë. /REL