90 minuta për histori, Dukagjini synon përmbysjen ndaj Luganos

Dukagjini do të kërkojë një tjetër mbrëmje të madhe evropiane, teksa sot (e mërkurë) do të përballet me Luganon në ndeshjen e kthimit të rundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Skuadra nga Klina udhëton drejt kësaj përballjeje me një disavantazh minimal pas humbjes 1:0 në ndeshjen e parë të zhvilluar në Zvicër, por me bindjen se kualifikimi mbetet plotësisht i hapur.

Përballja në kampin nacional të FFK-së në Hajvali pritet të jetë një test i madh për Dukagjinin, i cili synon të shfrytëzojë faktorin vendas, përkrahjen e tifozëve dhe një paraqitje sa më të mirë për të eliminuar një kundërshtar me përvojë ndërkombëtare.

Klubi kosovar ka analizuar gabimet e ndeshjes së parë dhe synon të jetë më i saktë në fazën mbrojtëse dhe më i rrezikshëm në sulm, në përpjekje për ta përmbysur rezultatin.

Për Dukagjinin kjo është paraqitja e dytë në garat evropiane.

Në debutimin e tij në edicionin 2023/24, klubi nga Klina kishte kaluar rundin e parë kualifikues, përpara se të ndalej në raundin e dytë të Ligës së Konferencës.

Një kualifikim ndaj Luganos do të ishte një nga rezultatet më të mëdha në historinë e klubit dhe do ta dërgonte Dukagjinin në rundin tjetër, ku do të përballej me fituesin e duelit mes Runavikut dhe Koperit. /telegrafi