Varreza masive në Zubin Potok, Prokuroria konfirmon operacionin për zhvarrim dhe identifikim
Në komunën e Zubin Potokut është duke u zhvilluar procesi i zhvarrosjes, autopsisë dhe identifikimit të mbetjeve mortore, ka konfirmuar Prokuroria Speciale.
Gjatë ditës është raportuar se në këtë komunë dyshohet se janë gjetur mbetje mortore që mund t’u përkasin 23 intelektualëve shqiptarë të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Në një përgjigje për media, zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, ka bërë të ditur se institucionet relevante janë duke zbatuar urdhrin për zhvarrosje, autopsi dhe identifikim të këtyre mbetjeve.
“Me kërkesë të Prokurorisë Speciale dhe urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, institucionet relevante janë duke zbatuar urdhrin për zhvarrosje (ekshumim), autopsi dhe identifikim të mbetjeve mortore në një lokacion në Komunën e Zubin Potokut”, ka thënë ajo.