Kryeprokurori Gashi shpalos prioritetet e para të mandatit: Fokus korrupsioni, krimi i organizuar dhe siguria e qytetarëve

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka prezantuar prioritetet kryesore për 100 ditët e para të mandatit të tij, duke vënë theksin te lufta kundër korrupsionit të profilit të lartë, krimit të organizuar dhe forcimi i sundimit të ligjit.

Në takimin e parë të kolegjiumit me kryeprokurorët dhe përfaqësuesit e prokurorive, ku morën pjesë edhe përfaqësues të Ambasadës së Britanisë së Madhe dhe Programit për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatim të Ligjit (INL) të Ambasadës Amerikane në Kosovë, Gashi kërkoi veprime të menjëhershme institucionale për një sërë çështjesh prioritare, transmeton Zeri.info.

Sipas njoftimit të prokurorit të Shtetit, prioritetet kryesore përfshijnë zhvillimin e hetimeve financiare paralelisht me hetimet penale në rastet e korrupsionit, krimit të organizuar, shpëlarjes së parave dhe veprave të tjera të rënda, luftimin e armëmbajtjes pa leje dhe narkotikëve, mbrojtjen e pronës së qytetarëve, sigurinë ekonomike dhe juridike, si dhe trajtimin me prioritet të rasteve të dhunës në familje dhe mbrojtjen e viktimave.

Po ashtu, Gashi ka theksuar rëndësinë e mbrojtjes së integritetit të hetimeve dhe të dhënave personale, ndjekjes më rigoroze penale ndaj personave që rrezikojnë sigurinë në trafik, si dhe krijimin e mekanizmave të rinj mbikëqyrës brenda Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit për rritjen e cilësisë së aktakuzave dhe monitorimin e praktikës gjyqësore.

Një tjetër prioritet i paralajmëruar është krijimi i një mekanizmi të brendshëm për mbrojtjen e prokurorëve nga sulmet e padrejta gjatë ushtrimit të detyrës, si dhe forcimi i komunikimit institucional dhe respektimi i vijës hierarkike.

Gashi u kërkoi të gjitha prokurorive themelore që brenda një afati të arsyeshëm t'i dorëzojnë Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit një plan fillestar për zbatimin e këtyre prioriteteve, në përputhje me kompetencat e tyre.

Gjatë takimit, kryeprokurorët raportuan edhe për gjendjen në prokuroritë që drejtojnë, duke përfshirë trajtimin e lëndëve të vjetra, efikasitetin në punë, rastet me interes të lartë publik, sfidat kryesore dhe nivelin e zbatimit të Sistemit për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL).

Në përmbyllje, kryeprokurori i Shtetit garantoi mbështetje të plotë institucionale dhe bashkëpunim të ngushtë me të gjithë prokurorët në vend, me synimin për luftimin e të gjitha formave të kriminalitetit dhe forcimin e sundimit të ligjit. /Zëri