Sulmi në “Ibër-Lepenc”, Ademi: Ekspertiza e ADN-së u krye në Prishtinë, në Itali u dërguan rezultatet për interpretim

Dëshmitari Fatmir Ademi, drejtor i Departamentit për Kimi dhe Biologji në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, ka deklaruar se ekspertiza e ADN-së në rastin e sulmit në kanalin “Ibër-Lepenc” është kryer në laboratorin e Prishtinës, ndërsa rezultatet janë dërguar në Itali për interpretim.

Këtë deklaratë Ademi e ka dhënë gjatë dëshmisë së tij, në përgjigje të pyetjeve të avokatit të të pandehurve, Nebojsha Vllajiq.

“Kjo ekspertizë e ADN-së është kryer në Itali, këtu thuhet se në deklaratën tuaj ka pasur mungesë të metodave për ekzaminimin e përzierjeve dhe thuhet që nuk keni qenë në gjendje që t’i ekzaminoni. Prokurori e thotë të njëjtën, pasi nuk keni pasur mundësi me verifikuar e keni dërguar në Itali, pse nuk keni qenë në gjendje të bëni?”, pyeti ai.

Ademi u përgjigj se ekspertiza është kryer në Prishtinë dhe se në Itali janë dërguar rezultatet për interpretim.

“Ekspertiza është kryer në laboratorin e Prishtinës, nuk është bërë në Itali ekspertiza. Sa i përket nevojës së interpretimit, kjo ka të bëjë me mungesë të softuerit në laboratorin tonë. Ne e kemi bërë analizimin edhe në mungesë të softuerit, këto profilet e ADN-së të mikstuar nga dëshmia nr. 4 dhe profilin për personin S1, i kemi krahasuar dhe kemi bërë një vlerësim tonin edhe para interpretimit nga italianët”, tha ai.

Avokati e ka pyetur se çfarë është dërguar në Itali, rezultatet apo mostrat.

“Ne kemi dërguar rezultatet për të bërë një interpretim për shkak të mungesës së softuerit”, u përgjigj ai.

I pyetur se si kanë ardhur deri te ADN-ja e personave të dyshuar, Ademi tha se dëshmitë janë pranuar përmes vijës zyrtare, sipas procedurave për rastet kriminale.

“Dëshmitë i kemi pranuar në vijë zyrtare sipas procedurave për rastet kriminale. Hetuesia i ka sjellë bashkë me urdhëresën e prokurorisë dhe ato nuk kanë ardhur direkt në laboratorin e ADN-së, por në sektorin që është i veçantë për çështje të pranim-dorëzimit. Rasti ka kaluar në laboratorin e ADN-së, ku ne i kemi trajtuar të gjitha provat sipas urdhëresës së prokurorisë. Procedurat janë të qarta për të gjitha çështjet që i kemi në laborator edhe divizioni për pranim-dorëzim i ka procedurat e veta ku, ndër të tjera, i verifikon dëshmitë, se a janë të përshkruara si duhet, të mbyllura si duhet… Kjo procedurë, pasi kalon dëshmia në laboratorin e ADN-së, prapë verifikohet para se të fillojmë punën dhe pastaj gjithçka që verifikohet bëhet sipas procedurave strikte”.

“Sipas rregullave që i kemi, ne prokurorit ia dorëzojmë raportin e ekspertizës, ndërsa dosja e punës komplet dorëzohet në divizionin e pranim-dorëzimit”, tha ai.

Ndërkaq, avokati i të pandehurit Millosh Deloviq e ka pyetur Ademin nëse është e vërtetë se ka punuar në 50 prova të analizës së ADN-së.

“Po”, u përgjigj Ademi.

I pyetur se sa prej këtyre provave janë gjetur në vendin e ngjarjes, Ademi tha se, sa ka mundur të mbajë mend, kanë qenë shtatë dëshmi nga vendi i shpërthimit.

“Sa kam mundur me mbajt mend, kanë qenë 7 dëshmi nga vendi i shpërthimit”, tha ai.

Avokati e ka pyetur nëse në mesin e këtyre shtatë provave të vendit të ngjarjes është vërtetuar ndonjë përputhshmëri e ADN-së me të pandehurin Dragisha Viqentijeviq.

“Jo, nuk kemi gjetur”, tha ai.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq, më 29 nëntor 2024, rreth orës 18:50, në fshatin Varagë, komuna e Zubin Potokut, kanë vendosur eksploziv në pjesën e kanalit të “Ibër-Lepencit”, infrastrukturë publike, e cila shërben për furnizimin me ujë të pijshëm dhe nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për prodhim të energjisë elektrike.

Në aktakuzën të cilën e ka ngritur prokurori special Bekim Kodraliu, thuhet se të akuzuarit, së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, pas një marrëveshjeje paraprake, me qëllim të frikësimit serioz të popullsisë së vendit dhe rrezikimit të rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, e kanë vendosur një sasi të konsiderueshme të eksplozivit që shërben për përdorim ushtarak, rreth 20 kilogramë të llojit Trinitrotoluen “TNT”, në brendësi të kanalit.

Këtë, sipas PSRK-së, e kanë bërë përmes një çante të cilën e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni, duke e pozicionuar në atë mënyrë që të shkaktojë dëmtim serioz të infrastrukturës kritike të furnizimit me ujë dhe me energji elektrike. Sipas aktakuzës, të pandehurit, përmes ndezjes së një fitili zjarrpërcjellës me ndezje të ngadalshme, e kanë aktivizuar lëndën shpërthyese, duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm, si pasojë e të cilit është dëmtuar rëndë struktura e betonit e kanalit të “Ibër-Lepencit”.

Në aktakuzë thuhet se kjo kishte shkaktuar ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm për qytetarët e disa komunave veriore dhe qendrore të Kosovës, kishte penguar furnizimin me ujë për KEK-un, si dhe kishte rrezikuar prodhimin e energjisë elektrike në nivel vendi.

Me këto veprime, sipas Prokurorisë, të akuzuarit kanë shkaktuar një rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e popullsisë dhe dëmtimin e infrastrukturës kritike të shtetit, ku në këtë rast të dëmtuarës, “Ibër-Lepencit”, i janë shkaktuar dëme materiale në vlerë prej 376 mijë e 774 eurove e 70 centësh.

Kështu, ata akuzohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike”, nga Neni 122, lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste”, nga Neni 129, paragrafi 1, dhe Neni 128, paragrafi 1, nënparagrafi 1.8, lidhur me Nenin 31 të Kodit Penal.

Kurse, në pikën 2 të aktakuzës, vëllezërit Viqentijeviq akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje. Sipas aktakuzës, nga data e pacaktuar e deri me arrestimin e tyre, në shtëpitë e tyre, njërën në Zubin Potok dhe tjetrën në fshatin Prevllak të po kësaj komune, gjatë kontrolleve të bëra nga ana e Policisë së Kosovës, u është gjetur në posedim një sasi e konsiderueshme e armatimit luftarak.